Neimar prezantohet te Barcelona para mijra tifozëve katalanas
Talenti brazilian Neimar është prezantuar dje pasdite zyrtarisht si blerja e re dhe më e shtrejntë e Barcelonës për këtë sezon futbullistik. Ish sulmuesi i Santosit, pasi ka kryer vizitat mjekësore, ka hedhur firmën e tij në kontratën e nënshkruar me katalanasit për pesë vitet e ardhshme. Kjo kontratë do ta lidh brazilianin me klubin deri në fundin e Qershorit të vitit 2018.
"Jam shumë i emocionuar. Dua të ndihmoj ekipin. Kam ardhur këtu të ndihmoj Leo Mesin që të vazhdojë të jetë më i miri në botë, është një ëndërr që luaj përkrah tij", ishin fjalët e para në stadiumin "Kamp Nou", në shkallët e të cilit gjendeshin 56500 tifozë të pranishëm, si në një ndeshje të mirëfilltë.
Më pas, është mbajtur një konferencë për shtyp ku Neimar ka treguar edhe emocionet e tij të para dhe atë që pret nga kjo eksperiencë e re që ka ndërmarrë në karrierë.
"E mbajta veten të mos qaja nga emocionet kur hyra në "Kamp Nou". Ëndrra ime u realizua. Asnjëherë nuk më ka shqetësuar ideja të bëhem më i miri në botë. Më i miri është këtu dhe quhet Mesi, jam një nga njerëzit më me fat në botë që do të luaj përkrah tij. Është shumë më e lehtë të luash futboll kur je përkrah një lojtarit më të mirë në botë. Mesi shënon gjithmonë gola dhe unë dua që mësojë shumë nga loja e tij", u shpreh Neimar i cili për ansjë moment nuk i kurseu lëvdatat për yllin argjentinas.
Ndërsa i pyetur rreth rivalit Kristiano Ronaldo ai u shpreh se: Ai është një lojtar i madh, e respektoj dhe është një nga idhujt që çdo lojtarë duhet të marrë shembull", tha Neimar.
Drejtuesit ë Barcelonës kanë bërë të qartë se futbollisti kishte kushtuar 57 milion euro, ku përfshiheshin edhe 10 milion eurot e dhënë parapagim që një vit më parë. Ata kanë shpjeguar se çmimi i lojtarit u rrit pasi në marrëveshje kishte ndërhyrë edhe Real Madrid. Tani, për të blinduar lojtarin, katalanasit kanë vënë një klauzolë largimi prej 190 milion eurosh.