Kuvendi rinis sot, demokratët të ndarë. A do i bashkojë Alibeaj votat me Ramën për Avokatin e Popullit?
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 10:00, pasi një ditë më parë nuk arriti do të votonte projektligjet dhe projektvendimet e parashikuara për t’u miratuar një ditë më parë kur dhe ishte njoftuar seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar.
Shkak u bë beteja jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe mes vetë demokratëve.
Kjo pasi procedurat e ndjekura për të marrë fjalën në seancë u shndërruan në një “mollë sherri” mes vetë deputetëve, tashmë të renditur një pjesë në krah të Sali Berishës, e të tjerë me Enkelejd Alibeaj.
Gjithsesi ajo që pritet me interes është fakti nëse do të ketë ose jo bashkim votash të demokratëve të rreshtuar në krah të Alibeajt me socialistët, sa i përket kandidaturës së Ledio Brahos për postin e kreut të Avokatit të Popullit.
Përvecc votimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit në rend të ditës janë disa vendime dhe projektligje të rëndësishme, ndër të cilët veçojmë projektvendimin për emërimin e një anëtarët të Gjykatës Kushtetuese, për emërimin e një anëtari të bordit të ERE-s, apo ndryshimet në Kodin Rrugor.
Po ashtu, në rend të ditës janë dhe disa marrëveshje të fushës financiare si ai për ndryshimet në buxhetin e vitit 2022, ratifikimi i marrëveshjes së huasë, me Fondin Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të lotit të tretë të rrugës Qukës-Qafa e Plloçë, ai për aderimin në iniciativën e përbashkët për rregulloren e brendshme për shërbimet e Organizatës Botërore të Tregtisë si dhe ai për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”.
Pas debateve të gjata në komisionet parlamentare, Kuvendi pritet të miratojë në seancën e sotme edhe projektligjin “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” dhe atë “Për titujt e nderit dhe titujt vendore të nderit në Republikën e Shqipërisë”.
Në rendin e ditës së seancës së sotme është dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e Kryetarit të Autoritetit për lnformimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit”.


