Vula e PD, gjyqi në 2023

Gjykata e Apelit, shtyu për herë të dytë në pak ditë, gjyqin për vulën e Partisë Demokratike. Seanca e ardhshme është caktuar në datën 17 janar 2023 dhe shkak për shtyrjen, edhe kësaj radhe u bë një kërkesë e paraqitur nga avokati përfaqësues i grupit të Alibeajt. Seanca e kaluar, u shty për shkak se ai kërkoi kohë për tu njohur me aktet, ndërkohë që për herë të dytë, shtyrja ndodhi për shkak të kërkesës për përjashtimin e një prej gjyqtarëve, për papajtueshmëri.

Gjykata e Apelit shtyu serish seancën për vulën e Partisë Demokratike, duke e shtyrë këtë proces për vitin e ardhshëm. Objekt i procesit është kërkesa e fraksionit të Partisë Demokratike që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, për bashkimin e Kuvendit të korrikut me atë të 18 dhjetorit të 2021-it.

Dy ditë më parë, Apeli vendosi sërish ta shtyjë seancën për shkak të kërkesës së avokatit përfaqësues të grupit të Alibeajt, që kërkoi më shumë kohë për tu njohur me çështjen.

Pas kësaj kërkese, togat e zeza e shtyjnë seancën për në datën 22 dhjetor, por edhe kjo paraqitje e palëve para Gjykatës, dështoi. Shkak për shtyrjen e procesit për në datën 17 janar 2023, u bë sërish një kërkesë e grupit të Alibeajt, kësaj radhe për përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja.

Kjo e fundit një seancë më parë i kërkoi palës apeluese, që të rregullonte prokurën e përfaqësimit sipas statutit.

Avokati Rezart Kthupi, që përfaqëson grupin e Alibeajt e interpretoi këtë veprim të gjyqtarës, si mbajtje qëndrimi duke kërkuar përjashtimin e saj për shkaqe, papajtueshmërie. Kjo çështje është një prej 3 betejave gjyqësore, që po zhvillon Partia Demokratike.

Në Gjykatën e Apelit ndodhet edhe përplasja për Kuvendin e 11 dhjetorit, dhe Gjykata pritet të vendosë nëse Sali Berisha është apo jo ligjërisht kryetar i Partisë Demokratike.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë, mbështetësit e Sali Berishës kanë kërkuar heqjen e Lulzim Bashës si kryetar i partisë, pasi ka dhënë dorëheqjen.

Nëse deri në 6 mars, kur regjistrohen partitë politike, nuk ka një vendim nga gjyqësori, atëherë hiqet mundësia e Sali Berishës, për të paraqitur kandidatë në zgjedhjet lokale, pasi juridikisht i vetmi që ka të drejtë të paraqesë kandidatët në emër të Partisë Demokratike është grupi i Alibeajt.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.