Sherr mes demokratëve, grupi i Berishës dhe Alibeajt konfliktohen dhe në seancë plenare
Ndarjet e deputetëve demokratë janë shfaqur të forta në Kuvend. Flamur Noka ka akuzuar se është përjashtuar në mënyrë të padrejtë nga grupi parlamentar, ndërsa kërkoi respektimin e rezultatit të zgjedhjeve. Për shkak dhe të ndërprerjes së fjalës, ka qenë Enkelejd Alibeaj që ka debatuar me ish-kolegët, ku nuk munguan as tentativat e përplasjeve fizike.
Seanca e Kuvendit është rikthyer me debate, por këtë herë jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës.
Procedurat e ndjekura për të marrë fjalën në seancë janë bërë shkak për një përplasje mes vetë deputetëve demokratë, tashmë të renditur një pjesë në krah të Sali Berishës, e të tjerë me Enkelejd Alibeaj.
Flamur Noka ka akuzuar se është përjashtuar nga grupi parlamentar me pa të drejtë.
"Flamur Noka dhe disa kolegë të tjerë shkruan se janë grupeve parlamentare."
Ndërsa kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje se ka pasur vendim të komunikuar zyrtarisht prej grupit të PD.
"E kam komunikuar në seancë një vit më parë."
Për Nokën sqarimi nuk ishte bindës, ndaj ka paraqitur shkresën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ai rezulton deputet i PD.
"Emri im sëbashku me Sali Berishën, Edmond Spahon etj, është në listën e PD."
Qëndrimet dhe përplasjet sollën replika edhe mes Enkelejd Alibeajt dhe ish-kolegëve të tij në selinë blu.
Shehu: Diktator.
Alibeaj: Plak matuf, legen!
Edhe pse kryeparlamentarja kërkoi pushim për qetësimin e situatës, rinisja e seancës e gjeti Flamur Nokën në foltoren e rrethuar nga gardistët, teksa vijimi i fjalimeve u shoqërua me trokitjen e tavolinave prej deputetëve të tjerë.
Mungesa e reagimit pas vërejtjeve solli një tjetër qëndrim të Lindita Nikollës, duke përjashtuar Flamur Nokën nga seanca e Kuvendit.
Nikolla: Përjashtoheni nga seanca parlamentare e ditës së sotme.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.











