PD thirrje NATO-s: Monitoro hapësirën shqiptare, anije me mallra ruse dhe serbe kalojnë në Portin e Durësit

Parti Demokratike ka quajtur tradhti kombëtare thyerjen e embargos së vendosur nga SHBA dhe BE të Edi Ramës, i cili ka lejuar tregtinë e grurit dhe plehrave kimikë mes Serbisë dhe Rusisë në një kohë që kjo e fundit ka pushtuar territorin e Ukrainës. Lidhur me këtë Flamur Noka i bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë që të shtojnë vëmendjen ndaj këtyre akteve që cënojnë sigurinë e vendit.

Pas denoncimit nga një media malazeze se Edi Rama dhe Dritan Abazoviç kanë thyer embargon e SHBA dhe BE, duke lejuar tregtinë e grurit dhe të plehrave kimikë mes Serbisë dhe Rusisë, përmes portit të Durrësit ka reaguar Partia Demokratike.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka e quajti “akt sabotazhi, tradhtie dhe skuthërie të Ramës dhe të veglave të tij, që për një grusht para janë gati të nxjerrin në ankand sigurinë e vendit”

Flamur Noka: Anije me mallra ruse dhe serbe, të denoncuara disa herë nga Partia Demokratike, me destinacion Serbinë dhe Rusinë, kanë përdorur portin e Durrësit, si portën e shqyer të Europës, folenë e korrupsionit dhe trafiqeve ndërkombëtare, duke mbajtur të hapur tubin e oksigjenit për Putinin, makinerine e tij te luftes dhe genocidit ndaj Ukrainës dhe majmur padronin e tij, serbomadhin Vuçiç.

Edi Rama dhe tregtarët e tij të sigurisë kombëtare janë të parët dhe të vetmit thyerës të embargos ndërkombëtare kundër Rusisë, per interesa te kesaj te fundit dhe “Rusisë së Vogël” në rajon.

Për një vend të NATO-s dhe kandidat të BE, kjo është dyfish e dënueshme dhe dyfish skandaloze. Per kombin shqiptar kjo është nje tradhti e hapur kombetare.

Ky akt kriminal ndërkombetar dëshmon se Edi Rama për pushetin e tij është gati të lidhet me armiqtë e vjetër dhe të rinj të Shqipërisë dhe të Perëndimit, dhe të përdorë hapësirën e një vendi të NATO-s për të furnizuar dhe lehtësuar operacionet e një regjimi që është në luftë me Aleancën.

Partia Demokratike i bën thirrje NATO-s të shtojë monitorimin e hapësirës shqiptare, duke kujtuar se bëhet fjalë, jo vetëm për territorin e një vendi aleat, por edhe sigurinë e publikut, dhe për më shumë interesat jetike afatgjata të kombit shqiptar në Ballkan.

Flamur Noka: “Përdorimi i portit të Durrësit në funksion të Vuçiçit dhe Putinit është shqyerje e portave të sigurisë kombëtare, shenjë se funksionet gjeostrategjike të Shqipërisë u nënshtrohen interesave të armiqve tane, dhe jo interesit kombëtar. Porti i Durrësit është tashmë porta e të gjitha trafiqeve ndërkombëtare me leje qeveritare.

Tonelatat e drogës nga Amerika Latine, ato që janë kapur dëshmojnë vetëm se sa herë më shumë kanë kaluar, dhe anijet me naftë nga Libia, një tjetër vend në embargo ndërkombëtare, janë prova se Shqipëria është në rrezikun e shndërrimit në shtet të kapur dhe vend të shitur. Infrastruktura e sigurisë së Shqipërisë është në duart e tradhëtarëve te saj."

Sipas artikullit të publikuar nga nga media malazeze “Pobjeda” mijëra kamionë janë ngarkuar me pleh kimik nga anijet e erdhura nga Rusia në Portin e Durrësit, kanë kaluar në Malin e Zi përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit dhe janë futur nga territori malazez në Serbi pranë Dobrakovit, ndërsa në kthim, kamionët janë ngarkuar me drithë dhe kanë kryer të njëjtin itinerar.

Mendohet se informacionet kanë mbërritur së fundmi në strukturat e inteligjencës perëndimore por nuk dihet ende se cilat do të jenë masat që do të ndërmaren nga ndërkombëtarët.