PL denoncon skandalin: KESH po shet energji shumë herë më lirë sesa tregu

Partia e Lirisë vijon me akuzat ndaj qeverisë Rama se po përfitojnë nga taksat e shqiptarëve. Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi u shpreh se KESH po shet energjinë 2.5 herë më lirë se tregu, ndersa kosto financiare rendon mbi qytetarët.

"Konkretisht, për periudhën 16 dhjetor – 18 dhjetor 2022, KESH ka vendosur të shesë energjisë me 115 Euro/MWh, ndërkohë që në bursë çmimi i tregtuar është 318 Euro/MWh dhe 325 Euro/MWh.

Pra praktikisht energjia elektrike po shitet nga KESH 2.7 herë më lirë se tregu, çka do të thotë 2.7 herë më pak të ardhura në Buxhetin e Shtetit, fonde të cilat mund të ishin përdorur për subvencionimin e familjeve në nevojë që nuk kanë mundësi të ngrohen në dimër ose të përballojnë çmimin e lartë mbi 800 kw në muaj. KESH ka vendosur gjithashtu që edhe për datat 19 dhjetor 2022 deri në 23 dhjetor 2022 të shesë energjinë elektrike me çmim 167 euro/mwh kur çmimi i tregut pritet të jetë 2.5 herë më shtrenjtë se sa e shet KESH" denoncoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë.

Një tjetër skandal sipas Partisë së Lirisë janë edhe kontratat koncensionare faturat e te cilave, po falimentojnë vendin. Sipas Blushit nëse vazhdon ky ritëm jo vetëm që do të zhduken qindra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë por do të vijojë edhe më shumë ulja e të ardhurave për frymë.

"Ky skandal dhe abuzim me të mirën publike tregon edhe njëherë se fokusi i Qeverisë nuk janë familjet në nevojë dhe as shtimi i fondeve në Buxhetin e Shtetit por aferat korruptive me energjinë, pasojat e të cilëve po i vuajnë më shumë se kurrë qytetarët shqiptarë, 37% e të cilëve sipas të dhënave të bëra publike më herët nga Komuniteti i Energjisë së Europës, nuk kanë mundësi financiare të ngrohin dot banesat e tyre gjatë dimrit.

Pak ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar, ngriti alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal.

"Sikundër evidenton edhe FMN këto kontrata, që zënë gati 40 për qind të PBB-së për vitin 2022, nuk do të mund të kontrollohen, ç’ka praktikisht nënkupton një gropë ku priten të zhduken qindra e qindra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë" tha Blushi sot në dalje për median.

Akuza pati gjithashtu edhe nga deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili, i cili u shpreh se qeveria Rama po keqmenaxhon situatën e përmbytjeve.