SPAK mbron vrasësit, Berisha: Betejë e turpshme, Rama mban peng Yuri Kim me dosje

"Është si të më thuash tani se cili është më i denjë,Taulanti apo Gjiknuri. Muhabet është ky?"

Për Sali Berishën asnjë prej kandidatëve nuk është i denjë për të drejtuar SPAK-un të cilin e konsideron një institucion të pavlefshëm të drejtësisë në vend dhe akuzon prokurorët se mbrojnë dhe fshehin vrasës.

"Institucion i damkosur, kjo është fatkeqësi."

Ai i cilësoi donkishoteske deklaratat e kryeministrit Rama dhe ambasadores amerikane Yuri Kim. Berisha tha se kjo është një betejë e turpshme.

"Çfarë pune ka një kryeministër se kush emërohet në krye të SPAK? Ka vetëm dosjen e tij. Ajo mbron mashtrimet që u ka bërë shefave të vet, ajo mbron veten sepse ka përdorur korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri."

Kreu i PD-së në konferencën e përjavshme me gazetarët ka bërë edhe një denoncim në lidhje me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, duke e quajtur militant, të cilit Rama i ka dhënë urdhër të mbrojë ministrat e qeverisë dhe se Helidon Bendon nuk e lejon të shkojë në zyrë pasi e quan spiun të amerikanëve.

"Ish-drejtori i SHISH që e ka emëruar vetë, drejtor jo ish se është drejtor, ja mbyll derën si bandit. Vendos këtë tjetrin duke e asgjesuar këtë institucion."

Një koment Berisha e pati dhe për çështjen e ish-kompleksit Partizani dhe Gërdecin, për të cilat është nën hetim, duke e sfiduar SPAK-un t'u shkojë deri në fund.

"Le ta hetojnë një mijë herë kompleksin Partizani, kurrë nuk do të gjejnë shkeljen më të vogël ligjore."

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.