Beteja për kreun e SPAK, Balliu: Ramës i duhet, ka ministra dhe njerëz të tij me çështje penale
Garës së ethshme për kreun e SPAK po i vjen fundi. 11 anëtarët e KLP-së do të votojnë nesër për të zgjedhur drejtuesin e ri të këtij institucioni.
Klevis Balliu, shef Organizimi i Partisë Demokratike, i ftuar në Rtv Ora duke komentuar betejën Kim-Rama për këtë çështje thotë se nuk ka dijeni nëse Ambasadorja lobon për ndonjë nga tre kandidatët, por shton se Ramës i duhet të ketë çdo gjyqtar e prokuror në kontroll.
Balliu: Jetojmë në një shtet absurd dhe kohë absurde ku anomalia është bërë normalitet. Askush nga të dy përfaqësuesit nuk duhet të lobonte për një person. Nuk e di nëse Ambasadorja po lobon për një njeri në mënyrë specifike por kur një pushtet, një qeveri vjen në pushtet me vjedhje vote nuk mund të pretendosh të mos vendosë njerëzit e vet në drejtësi. Rama ka një sëri çështjesh, njerëz të tij, ministra dhe familjarë të tij që kanë çështje penale. Patjetër atij i duhet SPAK, çdo gjyqtar dhe prokuror në kontroll dhe deri sot ashtu ka qenë. Sot kemi më shumë të arrestuar protestues sesa hajdutë në qeveri.
Balliu solli edhe rastin e Veliaj i kapur në përgjimet për zgjedhjet në FSHF.
Balliu: I keni dëgjuar përgjimet e Veliaj, do ti sul SPAK-un! Pronar i SPAK është Veliaj, prokurorët janë shërbëtorë të tij prandaj si hyn gjëmb në këmbë atij.
Nesër kandidatët Altin Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili do të shpalosin para antarëve platformën e tyre e më pas do ti përgjigjen pyetjeve.
Votimi zhvillohet në fazën finale të seancës, ku ai që merr mbështetjen e më shumë anëtarëve të KLP-së do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme në 3 vitet që vijnë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
