Altin Dumani, zgjidhet kreu i ri i SPAK
Me 5 vota pro, Altin Dumani, u zgjodh sot (16 dhjetor) shefi i ri i SPAK, duke zëvendësuar në këtë detyrë Arben Krajën, të cilit i ka mbaruar tashmë mandati tre vjeçar. Nevoja për ndryshim dhe për një ritëm të ri në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin pikat e përbashkëta në platformat e punës që paraqitën në KLP kandidatët për kryeprokuror. Adnan Xholi theksoi se është moment për një ritëm të ri në luftë ndaj krimit e korrupsionit. Altin Dumani tha se e sheh këtë detyrë si mision dhe se ndikohet nga provat e jo nga emrat në punën e tij. Edvin Kondili theksoi se duhen analizuar gabimet e të metat e SPAK për tu përmirësuar në të ardhmen.
Prokurori Altin Dumani u zgjodh sot kreu i ri i SPAK. Në votimin e hapur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ai mundi të marrë pesë vota të anëtarëve, nga katër që mori Kondili dhe një Xholi, kandidatë gjithashtu në këtë garë.
Dumani me një mandat trevjeçar, e merr detyrën zyrtarisht në krye të Prokurorisë së Posaçme me 19 dhjetor 2022 dhe do të zëvendësojë në këtë post Arben Krajën, të cilit i ka mbaruar zyrtarisht mandati.
Votimi i anëtarëve të KLP-së
-Adnan Xholi 1 votë
-Altin Dumani 5 vota
-Ervin Kondili 4 vota
Platformat e tre kandidatëve që morën pjesë në garë
Tre kandidatët për drejtimin e SPAK, paraqitën platformat para Këshillit të Lartë të Prokurorisë duke kërkuar një ritëm të ri në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Xholi: Momenti për një hap të ri në luftën ndaj krimit
I pari në radhë para KLP-së ishte kandidati Adnan Xholi.
Xholi: Ka ardhur momenti që të ketë një ndryshim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit për të forcuar besimin e publikut.
Xholi iu përgjigj edhe disa komenteve të anëtares së KLP-së, Nurihan Seiti, lidhur me pritshmëritë e publikut për punën e SPAK.
Xholi: Nuk bëhen arrestime me deklarata por me prova konkrete sepse jemi institucione dhe jurist.
Dumani: Bazohem vetëm tek provat, nuk ndikohem nga emrat
Kadidati tjetër, Altin Dumani, paraqiti platformën e tij, por fjala nuk u dëgjua plotësisht pasi KLP ndërpreu sinjalin audio për disa minuta.
Megjithatë, me aq sa u dëgjua, Dumani tha se e sheh kandidimin si mision për të krijuar një frymë pune në SPAK.
Dumani: Suksesi varet nga puna në grup bashkëpunimi institucional dhe integriteti i institucionit. Nuk e shikoj si një vend pune. E shikoj si një mision, misioni shumë i vështirë dhe unë këtë frymë kam përhapur me kolegët e mi me të cilët punoj.
Në përgjigje të pyetjeve të anëtarëve të KLP-së, Dumani theksoi se edhe hetuesve të brezit të ri u jep motivimin për tu përballur me çdo emër që del nga hetimi.
Dumani: Vijnë hetuesit e BKH dhe e thonë me rezerva një gjë nga frika se kush do dalë. Unë u them emri nuk ka rëndësi, prova po, sepse prova ka të bëjë me procesin e rregullt ligjor. Emri i atij që ka fatin të jetë subjekt i hetimit nuk ka asnjë rëndësi.
Kondili: Duhet të analizojmë gabimet për tu korrigjuar
Edhe kandidati i tretë në radhë që doli para KLP-së, Edvin Kondili, si pjesë të platformës së tij kishte ndryshimin e situatës aktuale në SPAK.
Kondili: Duhet të analizohen mangësitë dhe dobësitë e deritanishme për rritjen e rezultateve dhe pritshmërive.
Ai tha se kishte kandiduar edhe më parë për drejtimin e SPAK, por mungesa e eksperiencës si drejtues e kishte penalizuar edhe pse ai e shikonte këtë si avantazh.
Paraqitja e platformës nga Kondili u bë shkak edhe për debate lidhur me kohëzgjatjen e seancës në KLP.
Në platformën e tij, kandidati Kondili i dha përgjigje edhe shqetësimeve të ngritura shpesh për mungesën e hetimeve kryesisht nga SPAK.
E përbashkëta e tri platformave të kandidatëve për drejtimin e SPAK, ishte kërkesa për përdorimin e pajisjeve dhe programeve të përgjimit të komunikimeve në hapësirën e internetit, pajisjet elektronike dhe platformat online, çka u paraqit si domosdoshmëri.
Pyetjet e anëtarit të KLP-së, Tartar Bazaj, për kandidatin Kondili aluduan edhe për një mardhënie të ngrirë mes kryeprokurorit të deritanishëm të SPAK dhe drejtores së BKH-së.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.




