Pronari i kompleksit “Golden” në Shijak akuzohet për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës

Dy vite pas rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, SPAK ka dërguar në gjyq dosjen penale ndaj Altin Hajrit, pronar i kompleksit "Golden" në Shijak. Hajri akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka rrëmbyer, mbajtur peng, keqtrajtua e zhdukur kufomën e viktimës Jan Prenga. Ngjarja e urdhëruar nga burgu në Ekuador prej Dritan Rexhepit ka pasur si motiv vjedhjen e një sasie droge në Angli nga vëllai i Prengës.

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një tjetër pjesë të dosjes penale që bën fjalë për rrëmbimin dhe zhdukjen e kufomës së Jan Prengës dy vite më parë.

Për ngjarjen e ndodhur në janarin e vitit 2020 më herët janë dërguar në gjyq shtetasit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini.

Në një njoftim zyrtar, SPAK bën me dije se ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes për gjykim edhe për të pandehurin Altin Hajri akuzuar për kryerjen e veprave penale “rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja; “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Fshehja dhe asgjesimi i kufomes” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Në njoftim thuhet se i pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” ndodhur në Shijak akuzohet se është pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga, në datën 17 janar 2020 në Kamëz, Tiranë.

Në nëntor 2021 prokuroria dërgoi në gjyq grupin e parë të personave të akuzuar për këtë çështje.

Prokuroria e Posaçme njofton se ka kërkuar dërgimin e çështjes për gjykim edhe për të pandehurin Altin Hajri akuzuar për kryerjen e veprave penale :

“Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal;

“Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4  i  Kodit Penal;

“Fshehja dhe asgjesimi i kufomes”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal;

“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 i Kodit Penal;

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

Sipas SPAK pengmarrja e Jan Prengës u porosit nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj, për shkak se i vëllai i tij Astrit Prenga kishte vjedhur një sasi kokaine.

Prokuroria e Posaçme thekson në dosje se Dritan Rexhepi, i cili në kohën e ngjarjes ishte i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz, Shqipëri. 

Ata pretendonin se shtetasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.

Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Pasi u mor me forcë në zonën e Kamzës, Jan Prenga është dërguar në kompleksin Golden në Shijak ku besohet se është keqtrajtuar e vrarë e më pas kufoma e tij është zhdukur.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.