Vrau babanë dhe vëllanë e ish-gruas, kapet pas 4 muajsh i fshehur në mal Besnik Pjetri

49 vjeçari Besnik Pjetri që në gusht të këtij viti vrau babanë dhe vëllanë e ish-bashkëshortes, u vu në pranga nga forcat RENEA në zonat e thella të Mirditës, ku dyshohet se është fshehur për gati 4 muaj pas krimit. Shkaku i vrasjes së dyfishtë dyshohet se ishin konfliktet pas divorcit dhe ndalimi për të takuar vajzat

Merr fund arratia e Besnik Pjetrit, i cili në gusht të këtij viti ekzekutoi babanë dhe vëllanë e ish-bashkëshortes në Grykë Zezë të Lezhës.

Për gati katër muaj, 49 vjeçari ishte fshehur në zonat e thella malore, ndërsa u kap nga forcat Speciale RENEA në një banesë të braktisur në Kaçinar të Mirditës.

Pamjet e publikuara nga Policia e Shtetit tregojnë terrenin dhe kushtet e vështira në të cilat u zhvillua operacioni i koduar “Fundi i Arratisë”.

Krimi i dyfishtë u shënua rreth orës 23:00 të 29 gushtit 2022, në fshatin Grykë Zezë të Lezhës, ndërsa ngjarja pasoi një konflikt familjar me palëve.

Besnik Pjetri u bëri pritë pranë banesës babë e bir Pjerin e Gent Përnjakut, përkatësisht 56 dhe 32 vjeç, të cilët ishin kthyer në vendlindje nga Italia ku jetonin për një dasëm.

Ish -dhëndrri duket i kishte ndjekur lëvizjet dhe i sulmoi me breshëri kallashnikovi duke i lënë të vdekur në vend në derë të shtëpisë.

Besnik Pjetri, ishte divorcuar 6 vite më parë me vajzën e familjes Përjaku dhe prej asaj kohe, raportohet se përplasjet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme.

49 vjeçari kishte pretendime për çështje borxhi, ndërsa ankohej se familja e ish-bashkëshortes kohët e fundit nuk e kishte lejuar të takonte dy vajzat që kishin nga martesa.

Vrau babanë dhe vëllanë e ish-gruas, kapet pas 4 muajsh i fshehur

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.