Ambasadorja Yuri Kim në KLP, ndjek nga afër garën për kreun e ri të SPAK
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka mbërritur në ambientet e këshillit të lartë të prokurorisë gjatë kohës së intervistimit të kandidatëve për kreun e SPAK.
Ka qenë pikërisht kandidati Edvin Kondili që po paraqiste platformën e tij dhe po i përgjigjej pyetje të anëtarëve të KLP-së kur rreth orës 14:10 diplomatja amerikane ka mbërritur në sallë.
Seanca u ndëpre për disa minuta derisa Yuri Kim është pozicionuar në hapësirën e të ftuarve në sallë dhe më pas, KLP vijoi komunikimin me prokurorin Kondili.
Mësohet se Kim ka mbërritur në ambient e këshillit për të monitoruar nga afër procesin e votimit siç kishte premtuar edhe pak ditë më parë në postimet e saj në tvvitter.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka qenë aktive javët e fundit në lidhje me garën për drejtuesin e spak, duke kërkuar që ajo të jetë e drejtë, e barabartë, transparente dhe e pa ndikuar nga ata që duan të dëmtojnë hetimet.
Në garë për kreun e SPAK janë Edvin Kondili, Altin Dumani dhe Adnan Xholi. Për dy prokurorët kjo është hera e dytë që kandidojnë në krye të SPAK.
Kandidati që merr më shumë vota do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme për 3 vitet e ardhshme, ndërsa në rast balotazhi situata zhbllokohet nga vota e kryetarit.
Drejtuesit aktual të SPAK, Arben Kraja, i përfundon mandati në 18 dhjetor, ndërkohë që pas largimit nga kjo detyrë ai mbetet prokuror i SPAK deri në përmbushjen e mandatit 9 vjeçar.


