"Të trishtuar për Urën e Zogut", aktivistët akuzojnë institucionet për shkatërrimin e monumentit

Ura e Zogut në Milot është drejt degradimit dhe shkatërrimit total. Reshjet e fuindit i kanë dhënë edhe goditjen e madhe duke e zhyturë një këmbë të urës rreth 2 metra në tokë. Aktivistët e shoqërisë civile kanë hedhur akuzat ndaj institucioneve që kanë dështuar që të ruajnë këtë monument kulture.

Degradimi i Urës së Zogut mbi lumin Mat ka nxitur reagimin e Shoqërisë Civile.

Aktivistet u mblodhen pranë këtij monumenti kulture i cili është dëmtuar rëndë dhe rrezikon shembjen e plotë.

Indiferentizmi i institucioneve përgjegjëse për të marrë masa solli degradimin e Urës së Zogut thonë aktivistët e shoqërisë Civile.

"Ky shkatërrim ka nisur kohë më parë dhe ajo që e shkatërron më shumë është heshtja institucionale qoftë ajo e Ministrisë së Kulturës apo Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. E nëse këto institucione vazhdojnë të heshtin, kjo urë nuk do të ekzistojë më e bashkë me të do të humbasë dhe historia e saj. Në rast se patriotizmi dhe historia për të qenë ndjenjë vetëm nëpër zyra, nuk është ajo vlera e duhur," tha Elsa Sula aktiviste e Shoqërise Civile.

Kjo urë e ngritur në vitin 1927 u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e monumenteve më të rrezikuara për vitin 2022, por pavarësisht, ekspertët e huaj nuk po gjejnë mbështetjen dhe bashkëpunimimin e institucioneve shqiptare për realizimin e një plani ndërhyrje.

"Sot jemi vetëm për të thënë se përgjegjësit e lënies së rrënimit të kësaj ure do të vihen një ditë përpara drejtësisë," tha Elton Laska, aktivist.

"Ne urojmë që të marrin masa emergjente," tha Emarilda Leti, aktiviste e Shoqërise Civile.

Një tjetër këmbë e Urës së Zogut, monument kulture i kategorisë së parë, u fundos pas vërshimeve të fundit të lumit Mat, ndërsa i gjithë monumenti ka pësuar dëmtime dhe rrezikon shembjen e plotë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.