Nesho: Protesta e 6 dhjetorit duhet për të sensibilizuar ndërkombëtarët
Nënkryetari i PL Agim Nesho në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj foli rreth protestës së opozitës që pritet të mbahet më 6 dhjetor ditë në të cilën do të mbahet samiti i BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
A rrezikon vendi sa i përket sigurisë?
Agim Nesho: E drejta e protestës është kushtetuese, si në çdo vend europian. Është një e drejtë legjitime sidomos kur shikon që kjo klikë që ka kapur pushtetin po e vonon integrimin europian. Protesta është jo vetëm sensibilizim i opinionit ndërkombëtar për ekzistencën e një qeverie të papranueshme por dhe për ti thënë Europës që po protestojmë me flamujt e saj. nga ana tjetër mendoj se regjimi që po gjen forma paralele për të zgjatur pushtetin e pakufizuar po gjen forma paralele.
A nuk janë të sensibilizuar ndërkombëtarët për këto probleme?
Agim Nesho: Sensibilizimi është mëse i duhuri për të thënë që çdo gjë ka një limit dhe ky limit është arritur në Shqipëri. Mendoj që ky ndërgjegjësim duhet bërë i ditur, opinion ndërkombëtar ka informacione por mendojnë se populli ende beson te ky regjim por është e kundërta. Shqipëria ka nevojë për një kthesë, ka lidhje me të ardhmen e Shqipërisë.
Jeni i bindur se protesta mund të menaxhohet?
Agim Nesho: Miqtë europian janë mësuar të ketë protesta për ngritjen 10 cent të naftës e jo më për një shtet të korruptuar. Situate është në një gjendje të tillë që kërkon një zgjidhje, faktori ndërkombëtar nuk duhet të bazohet më në sjelljet klienteliste të qeverisë. Mesazhi i protestës është se Shqipëria është pro Europës dhe ata që e pengojnë këtë të vendosen përpara përgjegjësisë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
