Berisha nuk negocion për 6 dhjetorin: Qytetarët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Sali Berisha injoron thirrjet e policisë për ta zhvilluar në një kohë tjetër protestën e radhës të opozitës, dho jo më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë do të mbahet samiti mes BE-së dhe Ballkanit. Berisha I bëri apel qytetarëve që të dalin në shesh kundër qeverisë Rama. Nga selia blu, Berisha denoncoi vëllain e kryeministrit Rama dhe ish-këshilltarin e ministres së Punëve të Jashtme Olta Xhaçka, se po plaçkisin qytetarët evropianë miliarda euro përmes projektit mafioz të portit të Durrësit.

Kryedemokrati Sali Berisha është i vendosur për të protestuar kundër keqqeverisjes së vendit nga Edi Rama më 6 dhjetor, ditën kur liderët evropianë do të mblidhen në kryeqytetin shqiptar në kuadër të Samitit të nivelit të lartë mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” edhe pse policia e ka caktuar si pjesë e perimetrit të sigurisë ku lëvizjet do të jenë të ndaluara.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët Berisha u shpreh se protesta është një e drejtë e vetë qytetarëve dhe këtë të drejtë ai nuk do ta negociojë me kryeministrin Edi Rama.

Sali Berisha: Kemi shpallur protestën tonë në bulevard. Kushtetuta në autorizon të protestojmë në bulevard. Edi Rama kërkon përballje, ne do përpiqemi që ta shmangim atë ditë, por mund t’ia rezervojmë kur të dojë. Ne do bëjmë këtë. Nëse ai kërkon përballje, është puna e tij. Ai i bën llogaritë shumë gabim. Ai e ka kaluar vijën e kuqe. Populli opozitar po përgatitet mirë për t’i dhënë përgjigjen që meriton.

Ndërkaq Berisha denoncoi edhe ish-këshilltarin e ministres së brendshme Olta Xhaçka. Sipas Berishës vëllai i Edi Ramës, Olsi Rama, dhe miku i tij, Amant Josifi janë në krye të skemës së plaçkitjes së qytetarëve europianë përmes projektit të Portit të Durrësit.

Kam dalë disa herë për vjedhjen e 2.2 miliardë eurove nga rrjeti i Amant Josifit. 2.2 miliardë nga ortaku i Edi Ramës. Me dokumente. Edi Rama ka qenë ortak me Amant Josifin. Amant Josifi, i mbuluar politikisht krejtësisht nga Edi Rama dhe Olta Xhaçka, se ka qenë këshilltar i saj. Në të gjithë mafiozitetet e tij, Amanti ka pasur notere Natasha Xhaçkën, mamanë e ministers strategjike. Truri i kësaj vjedhje të madhe është Olsi Rama, bashkëshorti i Olta Xhaçkës dhe jo më pak, Pranvera Strakosha. Porti i Durrësit, po shiten apartamente, pa dalë në Fletoren Zyrtare ligji. U bëj thirrje qytetarëve, me çfarë çmimi thoni ju? 3 mijë euro. 

Ndërkaq kreu i demokratëve adresoi dhe çështjen e non gratës ku sipas tij SHBA nuk ka asnjë provë. Sipas Berishës, kjo gjë provohet me faktin se vetë ndihmës sekretari i SHBA Gabriel Escobar pak muaj pas vendimit të DASH-it ka kërkuar hetim për të.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.