Nisma Thurje në zgjedhjet e 14 majit, Shabani: Tirana është shpërfytyruar, ka vetëm beton
Nisma Thurje do ti bashkohet garës së 14 majit në zgjedhjet lokale. Endri Shabani kryetar i kësaj partie u shpreh se Tirana është shpërfytyruar dhe ironizoi mazhorancën dhe opozitën se gjatë këtyre 32 viteve nuk kanë bërë asgjë tjetër përveçse kanë përfituar për interesat e tyre personale ndërsa shtoi se nuk ka më opsion zgjedhje mes së majtës dhe së djathtës.
Në zgjedhjet e 14 majit do të bashkohet edhe Nisma Thurje.
Endri Shabani: Aktivistët e Nismës Thurje kanë vendosur që nisma thurje të përfaqësohet në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2023. Ne mendojmë se ka ardhur koha që brezi ynë të mbajë më tepër përgjegjësi për drejtimin e gjithë Tiranës por dhe për drejtimin e gjithë Shqipërisë. Kemi parë që vetëm na rriten taksa dhe kemi parë që këta vetëm e shpërfytyrojnë qytetin e Tiranës. Ne nuk e njohim më nuk është më qyteti ku kemi lindur dhe ku jemi rritur.
Endri Shabani, kryetar i nismës Thurje solli në vëmendje se Tirana është shpërfytyruar dhe nuk njihet më.
Endri Shabani: Shikoni pak përbindëshat që janë ndërtuar në këtë qytet. Kujt i shërbejnë? Na kanë marrë dritën e diellit, hapësirat e përbashkëta, kanë ngarkuar rrjetin e ujësjellësit e kanalizimeve e energjisë elektrike. Sot qytetarët e Tiranës kanë mundësi të zgjedhin dhe zgjedhja është mes një qyteti që na shërben të gjithëve apo një kantieri ndërtimi që i shërben vetëm grupeve kriminale.
Ai akuzoi drejtuesit e mëparshëm të bashkive se gjithmonë kanë përfituar nga pushteti duke punuar për interesat e tyre personale, ndërsa shtoi se nuk ka më opsion zgjedhje për qytetarët mes së majtës dhe së djathtës.
Endri Shabani: Nuk kemi ndërmend të presim më, 32 vjet janë boll. Ka pasur kohë boll për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa dhe ajo që kanë bërë në fakt kanë bërë këtë vend të pajetueshëm për brezin tonë. Prandaj ne sot do të marrim më shumë peshë.
Në zgjedhjet lokale, përveç mazhorancës, Partia Demokratike do të shkojë në koalicion me Partinë e Lirisë ku do të zgjedhin një kandidat të përbashkët.

