Apeli i Tiranës rrëzon kërkesën e Izet Haxhisë, në fuqi vendimi me 21 vite burg

Gjykata e Apelit në Tiranë la të pandryshuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për Izet Haxhinë, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e ish deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari, në 12 shator te vitit 1998.

Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi dënimin me 21 vite burg për Izet Haxhinë i akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të ish deputetit Azem Hajdari ish truprojen Besim Çerja dhe plagosjen e truprojes tjetër, Zenel Neza ndodhur më 12 shtator 1998.

Izet Haxhia përfiton 4 vjet heqje lirie më pak se në dënimin e parë të dhënë ndaj tij në vitin 2002 ku ndaj tij u vendosën 25 vite burg. Ashtu si dhe Gjykata e Tiranës Gjykata e Apelit dënoi për herë të dytë Izet Haxhinë me 21 vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e ish deputetit demokrat Azem Hajdari më 12 shtator 1998.

Izet Haxhia ankimoi vendimin e gjykatës së Tiranës datë 11 shkurt 2022 duke kërkuar prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues për shkelje të rënda të rregullave proceduriale të gjykimit ose në alternativë deklarimin e pafajshëm.

Apeli

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vetë Izet Haxhia.

Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor e dënimin me 25 vite burg. Ndërkohë Izet Haxhia kërkoi prishjen e vendimit dhe kthimin e cështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues për shkelje të rënda të rregullave proceduriale të gjykimit ose në alternativë deklarimin e pafajshëm.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare Marsela Dervishi dhe anëtarë Alma Ahmeti dhe Ornela Naqellari, me vendimin nr. 1045, datë 31 tetor 2022 vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 314 datë 11.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ulja e denimit

Ish truproja i Sali Berishës, duket se do të përfitojë shkurtimin e kohës që qëndrimit në qeli në vazhdim pasi në kohën e vuajtjes se dënimit gjykata kërkon të llogaritet edhe afati i qëndrimit te tij në arrest me burg si dhe pjesa e kohës së privimit të lirisë duke vuajtur dënimin e parë. Izet Haxhia u arrestua në Turqi në vitin 2006, për llogari të Interpol Tiranës pasi ishte dënuar në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit.