Gjykata e Apelit refuzon kërkesën e Fatjon Muratit për ndryshimin e masës së sigurisë
Gjykata e Apelit Tiranë, ka lënë në burg Fatjon Muratin i cili u arrestua më 8 tetor 2022 në makinë me Endrit Doklen dhe Gentjan Reçin.
Gjykata la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë pas kërkesës së Muratit për shfuqizimin e vendimit, pasi sipas tij arrestimi ishte i paligjshëm.
"Me vendimin nr. 1575/1 Akti, datë 11.10.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi:
- Vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim F.M., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 278-25 të K.Penal.
- Caktimin si mase sigurimi “arrestit ne burg”, te parashikuar nga Neni 238 i K. Pr. Penale, për personit nen hetim F.M i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 278-25 të K.Penal," thuhet ne vendim.
Fatjon Murati, ishte shpallur në kërkim pasi në bazë të një procedimi penal të këtij viti, ka rezultuar se është bashkëpunëtor (posedues i armëve) me shtetasin Kristjan Gjini, i cili është arrestuar në kuadër të operacionit "Ruger", të zhvilluar me datë 12 korrik 2022.
Murati u mbajt në vëzhgim për 3 ditë nga policia derisa agjentët e krimeve të rënda e ndaluan atë në zonën e 'Bulevardit' të Kasharit.