“Teatri aty dhe ashtu siç ishte” Aleanca për mbrojtjen e Teatrit përsëri para SPAK: Nuk tërhiqemi
Përfaqësues të Aleancës për mbrojtjen e Teatrit janë mbledhur përsëri sot para ndërtesës së SPAK në protestë duke kërkuar përgjigje për kallëzimet e bëra për shembjen e tij.
Regjisori Edmond Budina deklaroi se do ta çojnë deri në fund këtë çështje pavarësisht provokimeve.
Edmond Budina: “Sikundër e kemi thënë ne jemi të vendosur për ta çuar deri në fund çështjen e Teatrit Kombëtar sepse parregullsia, paligjshmëria, korrupsioni i mafies së këtij vendi është i padiskutueshëm dhe i dukshëm, i dukshëm në çdo gjë.
Shtoi pastaj këtij korrupsioni edhe udhëtimet me çarter, shtoi edhe inceneratorët shtoi edhe të gjitha abuzimet që bëhen në këtë vend; tregon që drejtësia në këtë vend nuk funksionon dhe ta dinë mirë që ne nuk do të tërhiqemi me gjithë provokimet që na bën pushteti.
Ju e vutë re, e patë se si vijnë e na provokojnë këtu. Ne nuk do të tërhiqemi, çfarëdolloj provokimesh, çfarëdolloj kërcënimesh që të na bëjnë. Ne çështjen e Teatrit Kombëtar do ta çojmë deri në fund. Teatri aty dhe ashtu siç ishte.”
Aleanca për mbrojtjen e Teatrit nuk ka reshtur së protestuari për teatrin, para dhe pas shembjes së tij duke bërë shumë kallëzime në SPAK.
Më 1 gusht 2022 Aleanca për mbrojtjen e Teatrit paditi në SPAK kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj se po shpërdoron detyrën.
Avokatja Adriana Kalaja ka shprehur shqetësimin edhe më parë se prokurorit Edvin Kondili po i bëhet ofertë në funksion të ngritjes së tij në karrierë që të mbyllë dosjen e teatrit.
