Berisha përsërit: Rama duhet të japë dorëheqjen e të largohet menjëherë

Kreu i Partisë Demokratike Sali kërkoi këtë të hënë dorëheqjen e Edi Ramës, pasi sipas tij, ai është kryeministri i vetëm në Europë dhe në botë që krijon sipërmarrje personale nga kontratat që ka firmosur për incineratorët.

Sali Berisha: "Edi Rama është sot kryeministri i vetëm në Europë dhe në botë që krijon sipërmarrje personale me 420 mln euro të grabitura taksapaguesve shqiptarë sipas kontratave që ka firmosur në kundërshtim me ligjet e vendit për djegësat. Sipërmarrja e Edi Ramës e djegësave Tiranë, Fier, Elbasan, është sipërmarrja e vetme në Europë me imunitet të plotë, në të cilin formalisht shpallen në kërkim menaxherë dhe administratorë të kësaj ndërmarrjeje, por faktikisht ndonëse të gjitha objekt krimi nuk konfiskohet asgjë, ata shëtisin të lirë, madje kanë filluar presionin për t’u çliruar nga akuzat”

Sipas Berishës, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet menjëherë sepse ai është i vetmi kryeministër në botë që ka realizuar me charter 137 udhëtime.

Sali Berisha: “Edi Rama duhet të japë dorëheqjen e të largohet menjëherë pasi është i vetmi kryeministër në botë që ka realizuar me çarter 137 udhëtime. Nuk ka kryeministër që të ketë realizuar me çarter as gjysmën e udhëtimeve të Edi Ramës. 22 milionë euro udhëtime janë abuzim i çmendur I shfrenuar. Më shumë se ç’ka shpenzuar byroja komuniste në vitet e saj” tha Berisha në një prononcim për median.

Berisha tha se kryeministri Rama duhet të japë dorëheqjen edhe për arsyen se se në kuadër të Ballkanit të hapur mijëra familje do të ngelen pa punë për shkak të kësaj nismeje, sepse po falimenton industrinë e birrës në vend.

Sali Berisha: "Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë sepse ai është bërë zëdhënës i Bratia Kariç, të Vuçiçit. Në emër të interesave të tyre po falimenton të gjithë industrinë e birrës të krijuar në 30 vite në Shqipëri, duke lënë pa punë mijëra familje që jetojnë të punësuar në sektorë të ndryshëm të kësaj industrie. Këtë e bën në kuadër të Ballkanit të Hapur për interesa të vëllezërve Kariç, të sanksionuar në kuadër të sanksioneve ndaj Rusisë”

Por nuk është vetëm kjo afera pse Berisha nënvizon se Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Kryedemokrati Berisha deklaroi se Edi Rama u shfaq nga Dibra si armik edhe i votës së lirë të shqiptarëve duke paralajmëruar plaçkitjen e saj në zgjedhjet e ardhshme.

Sali Berisha: “Edi Rama është një armik i egër i votës së lirë të shqiptarëve. Dje nga Dibra ai u zotua sërish në një shou festiv, foli përsëri për plaçkitje të votave. Të përdorësh një shoë festiv për t’u zotuar se do plaçkitësh votat, sfidon çdo shqiptar që beson te vota e lirë, dhe i mobilizon ata por të dhënë përgjigjen që meriton: armik i votës së lirë. Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga zyra dhe të japë dorëheqjen edhe për aferën e madhe të Butrintit. Ai shpartalloi parkun e Butrintit vetëm për interesat e veta dhe të oligarkëve të tij.”