Tre kandidatë për kreun e SPAK

Shkon në tre numri i kandidatëve për kreun e SPAK. Pas Adnand Xholit që ka shprehur zyrtarisht interesin pak ditë më parë për të marrë pjesë në garë, të hënën janë regjistruar në konkurim edhe prokurorët Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Drejtuesit aktual të Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja i përfundon mandati më 18 dhjetor të këtij viti.

Ndërkohë hapja e garës për titullarin e ri është bërë që prej muajit shtator. Afati i regjistrimit të prokurorëve që duan të marrin pjesë në garë përfundon brenda pak ditëve.

Mes kandidatëve, të regjistruar deti tani, Adnand Xholi ka qenë edhe më heret drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ai ka mbajtur funksione drejtuese edhe në Prokurorinë e Përgjithshme.

Altin Dumani ka qenë shef i Task Forcës antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës dhe zv.drejtues i Prokurorisë së Krimeve të rënda dhe SPAK.

Kandidati tjetër është Edvin Kondili aktualisht zv.drejtuesi i SPAK i cili më herët ka qenë anëtar i stafit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Afati i fundit i aplikimit është data 2 nëntor 2022.