SPAK çon në gjykatë ish gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Shkëlzen Selimi, me funksion ish gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Selimi akuzohet për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
Selimi gjyqtar me karrierë gati 20 vjeçare u shkarkua përfundimisht nga Kolegji i Posaçëm i Apelimi në shkurt 2019. Sipas DSIK-së ish gjyqtari kishte kontakte të papërshtatshme me persona që janë pjesë të krimit të organizuar.
