Shqiponjat zbresin në Vlorë, dy të arrestuar dhe një në kërkim për kultivim kanabisi në 2021
Dy persona janë arretsuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në Vlorë, gjatë një operacioni të forcave Shqiponja dhe Ndërhyrjes së Shpejtë.
Ata akuzohen si bashkëpuntorë të kultivimit të 213 bimëve kanabis, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar nga Policia, gjatë vitit 2021.
Me finalizimin e operacionit “River”u arrestua Ronaldo Velaj, 22 vjeç, banues në Vlorë dhe Artan Çobo, 47 vjeç, banues në fshatin Mifol, Vlorë, për të cilët, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. A., 47 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
"Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë disa muajve të vitit 2021, kanë kultivuar në zona të pyllëzuara të fshatit Mifol, Vlorë, 213 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar me anë të djegies, nga shërbimet e Policisë, gjatë periudhës hetimore.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në një banesë në përdorim nga shtetasi A. Ç., në të cilën kanë gjetur dhe sekuestruar 13 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis," njoftoi policia.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

