Klasat e para në Shqipëri, këtë vit 1 mijë nxënës më pak
Këtë vit numri i nxënësve që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollave do të jetë më i ulët.
Në klasat e para u regjistruan rreth një mijë fëmijë më pak se shtatorin e kaluar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit rezulton se abetaren do të nisin me afro 29 mijë fëmijë nga 30 mijë që ishin vitin e shkuar. Edhe pse ende nuk është bërë me dije numrin total të nxënësve në sistemin para universitar numri pritet të jetë më i ulët.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në 5 vitet e fundit janë regjistruar rreth 56 mijë nxënës më pak dhe I njëjti trend pritet të jetë dhe për vitin shkollor 2022 - 2023.
Referuar INSTAT në arsimin fillor ka 16 mijë fëmijë më pak, në ciklin e lartë të arsimit bazë 24 mijë dhe në gjimnaze numri i nxënsve krahasuar me 5 vite të shkuara është 14 mijë më pak.
Ekspertë të arsimit situatën e shohin me shqetësim dhe thonë se është shkaktuar nga rënia e numrit të lindjeve dhe largimeve massive nga vendi.
Ndriçim Mehmeti: Kemi 1 mijë më pak por kjo është një trokitje e madhe. Po të llogaritet që janë 1 mijë nxënës që janë më pak do të thotë sa mësues janë më pakë.
Sanie Korini: Është një tregues jo optimist por dhe alarmant nuk është sepse duhen pasur parasysh disa faktor. Mund të mos kemi vitin kur nuk kemi pasur lindje. Mund të kemi vitin e ardhshëm më shumë fëmijë, mund të jetë dhe prej largimeve jashtë vendit.
Por largimet nuk janë i vetmi problem.
Ndriçim Mehmeti: Shkolla “Emin Duraku” është në riparim. Shkolla “Partizani” është në rikonstruksion dhe shumë shkolla të tjera.
Në disa qytete nxënësit edhe këtë vit do të detyrohen të zhvillojnë mësim deri në orët e vona të pasdites.
Në Tiranë për shkak se disa shkolla janë ende në rikonstruksion e të tjera kanë numër të lartë fëmijësh të paktën në 22 institucione arsimore mësimi do të jetë me dy turne.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkangjitur me linkun e artikullit origjinal.

