Rikthehet sistemi TIMS në Rinas, Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë dhe Kakavijë
Sistemi i menaxhimit të lëvizjes në kufi, TIMS, mbetet jashtë funksioni në një pjesë të pikave kufitare për të dytën ditë radhazi pas sulmit kibernetik të dyshuar nga hakera iranianë.
Sistemi ndërkohë u rikthye në funksion në aeroportin e Rinasit dhe pikat kufitare kryesore tokësore.
Ministria e Brendshme njofton se normaliteti është rikthyer në doganat e Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë.
Në Kakavijë e Kapshticë, TIMS u vu në funksion në orët e para të mëngjesit, ndërsa në pikat e tjera kufitare rreth mesditës, kohë deri kur u puna me regjistra manualë.
Për pasojë edhe koha e përpunimit të udhëtarëve ishte më e gjatë.
“Një orë e gjys me kalu doganën.”
Ndërkohë jashtë sistemit TIMS mbeten pikat kufitare Qafë Thanën, Goricën e Madhe, Bllatës dhe Tushemishtin ku po punohet me regjistra.
Për të shmangur radhët, policia kufitare ka shtuar sportelet.
Jashtë rrjetit të TIMS mbeten aktualisht edhe dy Portet e Durrësit dhe Vlorës, ku përgjatë të shtunës u krijua situatë kaotike, pasi pasagjerët mbetën në pritje për orë të tëra.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në një reagim thotë se për tu përballur me sulmin e dytë kibernetik të dyshuar nga Irani janë angazhuar sërish ekspertë amerikanë, të cilët krahas rikthimit në funksion të sistemit TIMS po punojnë për ta bërë më të sigurtë.
Garantimi i paprekshmërisë së të dhënave dhe pas për rikthimin në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme, thotë Ministri i Brendshëm është prioritet i kësaj beteje që vijon prej orësh online.
Sulmi kibernetik ndaj Sistemit TIMS dhe faqes së Policisë së Shtetit, erdhi dy ditë pasi qeveria shquiptare ndërpreu marrëdhëniet Diplomatike me Republikën Islamike të Iranit dhe dëboi përfaqësuesit në Tiranë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik ndaj sistemeve qeveritare më 15 korrik.




