Softa për TIMS-in: Nuk janë sulmet e fundit por sulmet e para. Do jetë një luftë e gjatë

"Kjo është një luftë e nisur, nuk janë sulmet e fundit por janë sulmet e para. Kjo luftë do të jetë e gjatë sakohë vjen nga larg".

Ky është paralajmërimi që bën ekspert i sigurisë, Fatjon Softa, për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë.

Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Kostana Morava,  ai thotë se të parat që u paraprijnë konflikteve janë gjithmonë sulmet kibernetike.

Softa: Janë sulme që vijnë ga Irani. Arsyet janë të ndryshme. Në radhë të parë lidhet me prezencën e opozitës iraniane në Manzë me rritjen e aktivitetit të tyre kohët e fundit. Ishte një aktivitet ndërkombëtar që po organizonin dhe u ndërpre për shkak të informacioneve që kishte për sulme terroriste. Nuk mjaftojnë vetëm sulmet kibernetike, këta mund të jenë rrezik potencial dhe për sulme terroriste. Të parat që u paraprijnë konflikteve janë gjithmonë sulmet kibernetike.

Sipas Softës, vende me fuqi ekonomike si Irani kanë dhe aftësinë për të zhvilluar luftën kibernetike

Softa: Ky është një vend terrorist por që zhvillon dhe programet bërthamore. Si i tillë ka një fuqi ekonomike. Këto vende që kanë një fuqi ekonomike kanë dhe aftësinë për të zhvilluar luftën kibernetike. Në dy-tre raste kanë depërtuar sistemet e mbrojtjes shqiptare kibernetike, kanë arritur ti rimarrin në kontroll, nuk e di dëmin e shkaktuar. Hakera apo kompani që paguhen apo drejtohen nga Irani janë në vende të cilët kanë kapacitete intelektuale të afta për të depërtuar.

Lidhur me sulmin e fundit kibernetik në sistemin TIMS, Softa thotë se videot që u publikuan në media tregojnë se ata depërtuan në sistemin e kamerave.

Softa: U bllokua sistemi TIMS për momentin, janë të dhëna që mund të jenë marrë, nuk e dimë sa janë marrë. A u bë fikja e sistemit në mënyrë të tillë që dëmet mos të depërtonin? Nga videot që transmetuat tregohej se kishin arritur të kishin në kontroll dhe sistemin e kamerave. TIMS është sistem informativ i regjistrit të hyrjeve-daljeve në Shqipëri.

Eksperti i sigurisë ngre shqetësimin se sulmet mund të jenë dhe në fusha të tjera ku të dhënat janë sensitive duke shtuar se Iranit i duhet një destabilitet.

Në sulmin ndaj Shqipërisë ai nuk përjashton një bashkëpunim të Iranit me rusët.

Softa: Sulmet nuk mund të jenë vetëm nga Irani por edhe rusët, të cilët e kanë shumë të avancuar këtë lloj teknologjie.Mund të jetë bashkëpunim.