Librat falas, të vjetër e me shënime/ Prindërit detyrohen ti blejnë të rinj
Librat që po marrin në dorëzim nxënësit e shkollave 9-vjeçare janë të vjetër e plot me shënime duke vënë në pikëpyetje funksionalitetin e tyre. Prindërit thonë se me tekste të tillë fëmijët do të hasin vështirësi, për këtë arsye shumë prej tyre kanë zgjedhur t`i blejnë.
Librat falas nuk po rëndojnë buxhetin e familjeve të nxënësve megjithatë funksionaliteti i tyre duket se duhet të analizohet.
Në tekste ushtrimet janë plotësuar me laps nga nxënësit që i kanë patur librat më parë por nuk mungojnë edhe vlerësimet e mësuesve të lëna me stilolaps.
Në të tillë gjendje janë librat që po marrin në përdorim falas nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Për prindërit tekstet e përdorura përbëjnë shqetësim. Thonë se fëmijët zgjidhjet e ushtrimeve do t`i gjejnë gati.
"Edhe fëmijët se kanë kollaj se ushtrimet do ti gjejnë gati. Mund të bëhen dembelë," tha një prej tyre.
Do të provojnë t`i fshijnë, në të kundërt do t`i blejnë të rinj.
"Do të provojmë ta fshijmë, ndryshe do të marrim të re, se për një libër nuk është problem," tha ajo.
Të tjerë as nuk e kanë marrë mundimin të shohin gjendjen e teksteve të përdorura, por i kanë blerë të rinj edhe pse u shtohen kostot.
"Mendojme se sidomos tek pjesët ku janë me shënime, që fëmija mos të ngatërrohet. Sado ta fshish, ajo nuk hiqet plotësisht. Doja të ishin të rinj për këtë arsye.
Mora ato që na jep shkolla tani, të tjerat do mundohem ti siguroj.
Nuk i doja të përdorura, por të reja Kushtonin pak," thonë ato.
Në të gjitha shkollat e vendit shpërndarja e teksteve po bëhet sipas një grafiku të hartuar nga vetë mësuesit me synim shmangien e radhëve.
Nxënësit e klasave të para dhe të pesta librat do t`i kenë të rinj.
"Asnjë mungesë nuk ka. Të gjithë librat janë. Janë vetëm 5 nxënës që janë me pushime jasjhtë, të gjithë të tjerët i kanë marrë," tha një mësuese.
Edhe këtë vit librat do të jenë në përdorim falas për të gjithë nxnësit e shkollave 9-vjeçare. Përfitues janë edhe nxënësit e kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë.