Dy sportele në Rinas rikthehen në punë me sistemin TIMS, po punohet për të tjerat

Ministria e Brendshme njofton se dy sportele në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas janë rikthyer në punë me sistemin TIMS.

"Në vijim të punës së pandërprerë nga ekspertët tanë dhe ata të vendeve aleate, aktualisht dy sportele në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas janë rikthyer në punë me sistemin TIMS" njoftoi Ministria duke shtuar se shumë shpejt do të kemi rikthim të plotë të këtij sistemi në Rinas dhe në të gjitha pikat e tjera kufitare.

Më herët Aeroporti Ndërkombetar i Tiranës njofton të gjithë pasagjerët se pavarësisht problemeve momentale me sistemin TIMS, operimet vazhdojne pa vonesa në aeroport.

Fluturimet vazhdojnë sipas planit, megjithatë, TIA apelon pasagjerët që të jenë të pranishëm në aeroportin "Nënë Tereza" 2 orë e gjysmë përpara fluturimit për të shmangur çdo shqetësim.

Autoritetet njoftuan sot se Irani ka goditur sërish një prej sisteme të rëndësishme informatike, atë të rregjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS.

Burime zyrtare nga policia shqiptare i thanë Zërit të Amerikës se “bëhet fjalë për një sulm masiv, i ngjashëm me atë të 15 korrikut”, që goditi të gjithë strukturën e sistemeve qeveritare të informacionit.

Të njejtat burime shpjeguan se sulmi është vënë re shpejt, dhe se autoritetet menjëherë kanë fikur sistemin për të shmangur dëmet e mundshme.