Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, Burimi: Amerikanët marrin paratë e MEK, ne kërcënimet e Iranit
Irani ka nisur një ofensivë tjetër ndaj Shqipërisë. Pas sulmeve kibernetike që kulmuan me hakerimin e serverave qeveritarë me 15 korrik, këtë fundjavë Shqipëria është tronditur nga rënia e sistemit TIMS.
Bashkë me të doli jashtë funksionit faqja zyrtare e Policisë së shtetit. Kryeministri Rama njoftoi lajmin duke konfirmuar Iranin si autor.
Analisti, Genc Burimi, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Kostana Morava, thotë se ky sulm është gjëja më e vogël që mund të bëj një shtet ndaj një shteti tjetër që ka strehuar disidentët e tij,për më tepër një shtet anti-demokratik si Irani.
Burimi: Ajo që bëri Irani me ne nuk më habit. Ajo që bën Shqipëria më hapit dhe ka një ton shumë provokues. Kur ti strehon disidentë të një vendi të huaj, qoftë ky demokratik apo anti-demokratik, ky vend do reagojë. Harroni Iranin, merrni Turqinë.
Shikoni çfarë bën sot Erdogani ndaj atyre vendeve që strehojnë gulenistët, çfarë bën Erdogani kundra kurdëve. Kjo që bën Irani është gjëja më e vogël që mund të bëjë një shtet, për më tepër anti-demokratik. Ajo që bën Shqipëria më habit, jo vetëm e Edi Ramës por edhe e Sali Berishës.
Shqipëria pa asnjë debat publik, parlamentar e fut veten në një çështje tepër komplekse, për çfarë përfitimi? Kur i hyn kësaj rruge do kërkosh para. Këta iranianë kanë paguar shtrenjtë në SHBA ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut.
Loboi ta nxirrte nga lista e zezë, morën para. Gjithë politikanët amerikanë që vijnë në Shqipëri si burra të mirë, edhe ai i Trumpit që erdhi para kohës, të gjithë marrin para. Çfarë marrin ne? Kërcënime?
Burimi thotë se politikanët shqiptarë, duke keqpërdorur anëtarësinë në NATO, e kanë futur vendin në risqe të panevojshme vetëm për interes të jetëgjatësisë së pushtetit të tyre.
Burimi: Themi jemi anëtar të NATO-s, edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtarë të NATO-s. Pse gjithmonë Shqipëria merr shpatën në erë dhe del gjithmonë e para? Mbase këta politikanët tanë negociojnë me amerikanët që thjeshtë më mbani në pushtet dhe bëni çfarë të doni ju.
Kur Rama vjedh zgjedhjet amerikanët mbyllin sytë, kur Rama bën ligje të përjashtojë nga zgjedhjet opozitarët e vet amerikanët mbyllin sytë, kur Rama hoqi koalicionet amerikanët mbyllën sytë.
Populli shqiptar paguan diskursin e tij thjesht që një pushtet të mbahet në këmbë me anë të amerikanëve duke u bërë atyre shërbime gjeostrategjike, kjo nuk është e drejtë.

