Kryepolici Rrumbullaku porosit vartësit në Durrës: Kapni të kërkuarit, godisni krimet kudo!
Tri ditë pasi mori detyrën, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, është takuar me vartësit në qarkun e Durrësit. Ai ka kërkuar ndryshim të menjëhershëm të situatës në sektorët e krimit ekonomik, antidrogës dhe krimit të organizuar. Po kështu ai porositi strukturat e policisë të punojnë për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë.
Tri ditë pas emërimit në detyrë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka kërkuar ndryshim të menjëhershëm të situatës në strukturat e rendit.
Ai është takuar me drejtuesit e strukturave të policisë në Durrës në kuadër të kontakteve për njohjen e efektivëve me objektivat që i ka vendosur vetes në drejtimin e policisë.
Gjatë takimit Rrumbullaku ka kërkuar ndryshim të metodologjisë së punës së drejtuesve të strukturave policore duke filluar nga drejtori dhe deri te shefat e seksioneve.
Kreu i ri i policisë ka kërkuar përmirësim të menjëhershëm të cilësisë së rezultateve të seksioneve për Hetimin e Krimit Ekonomik, për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe të atij për Krimet e Rënda.
Muhamet Rrumbullaku u ka kërkuar vartësve të punojnë në bazë të informacioneve, të bashkëpunojnë me qytetarët, me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe godisin aty ku është problemi.
Ai ka kërkuar luftë ndaj krimit të organizuar dhe çdo paligjshmëri tjetër që konstatohet në terren.
Lokalizimi dhe kapja e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri ose lëndë narkotike, ka qenë një tjetër porosi e kreut të policisë.
Ai ka vënë theksin tek monitorimi dhe mbajtja nën kontroll e personave me tendencë kriminale në fushat e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Pavarësisht punës parandaluese të bërë deri tani kundër kultivimit të bimëve narkotike, Muhamet Rrumbullaku ka kërkuar që të bëhet më shumë për të luftuar tentativat e kultivimit në ambiente të mbyllura.
Një tjetër urdhër i kreut të policisë ka qenë që shërbimet e Policisë në terren të rritin performancën dhe komunikimin me qytetarët në ndjekjen dhe zgjidhjen e problematikave që ata adresojnë.
Po kështu sipas kreut të policisë, shefat e sektorëve duhet të kontrollojnë dhe të instruktojnë strukturat që kanë në varësi me qëllim realizimin e këtyre objektivave.
