Librat e gjimnazeve të shtrenjta, 10 mijë lekë vetëm për vitin e parë

Të shtrenjta dhe thuajse të papërballueshme për familjet me të ardhura të ulëta mbeten edhe këtë vit çmimet e librave të arsimit të mesëm.

Për nxënësit që ulen për herë të parë në bankat e gjimnazit tekstet kushtojnë më tepër.

E gjithë paketa e librave, ku disa prej tyre përdoren edhe në vitin e dytë, arrin vlerën e mbi 10 mijë lekëve.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Nxënësit thonë se kostot e larta të shkollimit po rëndojnë ekonomitë e familjeve të tyre.

"Shkuan 15 mijë lekë. Ka më shumë lëndë, më shumë libra për secilën lëndë. Me këto çmime të larta që kanë arritur, u përpoqëm t'ja dalim.

E vështirë për tu përballuar. Imagjino një familje shqiptare që ka mesatarisht 2-3 fëmijë," thanë ata.

Të shtrenjta janë edhe librat e maturës që shkojnë rreth 8 mijë lekë ndërsa tekstet e viteve të dyta kushtojnë deri në 5 mijë lekë.

"Për vitin e dytë, gjysma e librave janë blerë në vit të parë, prandaj çmimi është më i ulët.

Librat e vitit të tretë më kushtuan 8 mijë e 450 lekë," thanë ata.

Vala e rritjes së çmimeve këtë vit ka prekur edhe mjetet shkollore. Edhe për to prindërit duhet të paguajnë më tepër.

"Çmimet ishin dyfishuar, që nga fletoret, stilolapsat etj," tha një nxënëse.

Teksa për arsimin e detyrueshëm librat, edhe pse të vjetër e me shumë shënime janë në përdorim falas, për arsimin e mesëm falas tekstet janë vetëm për 16 kategori në nevojë.