Sulmi kibernetik, rikthehet në punë sistemi “TIMS” në Kapshticë dhe Kakavijë
Është rikthyer në punë sistemi “TIMS” në Kapshticë dhe Kakavijë.
Tashmë po punohet përmes këtij sistemi por ngadalë.
Ndërsa në Vlorë prej 24 orësh sistemi “TIMS” në portin dhe doganën e Vlorës nuk punon. Mësohet se do të vijoj puna me regjistrat portual duke u shkruar me dore si një dite me parë.
Në Qafë-Thanë, Tushemisht dhe Goric vazhdon të jetë i bllokuar sistemi, ndaj vijon dhe puna përmes rregjistrave ku janë 4 sportele në dalje dhe 2 në hyrje.
Në pikën kufitare të Morinës sistemi TIMS ende nuk është rikthyer në funksion. Por në këtë pikë kufitare nuk paraqitet radhë për shkak të marrëveshjes mes qeverive të dy vendeve, Shqipëri-Kosovë, për të kaluar pa kontrolle për sezonin turistik. Ka fluks lëvizjesh të mjeteve dhe qytetarëve të Kosovës që po kalojnë kufirin drejt Shqipërisë pa kontrolle.
Autoritetet njoftuan sot se Irani ka goditur sërish një prej sisteme të rëndësishme informatike, atë të rregjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS.
Burime zyrtare thanë se “bëhet fjalë për një sulm masiv, i ngjashëm me atë të 15 korrikut”, që goditi të gjithë strukturën e sistemeve qeveritare të informacionit.
Të njejtat burime shpjeguan se sulmi është vënë re shpejt, dhe se autoritetet menjëherë kanë fikur sistemin për të shmangur dëmet e mundshme.
