Makina e vrasjes së Ilit/ Shtëpia e kryekomunarit në Karinë u kontrollua 1 muaj para kapjes së Dumanit
Një tjetër funksionar vendor është përmendur nga Nuredin Dumani në dëshmitë e tij për vrasjet e ndodhura vitet e fundit në Elbasan. I penduari ka pretenduar para prokurorëve se makina e përdorur në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, është fshehur në garazhin e banesës së kryetarit të Komunës së Karinës në Peqin, me mbiemrin Juba.
“Ora News” zbulon emrin e kryekomunarit të Karinës në Peqin, i cili kohët e fundit është përmendur në dëshminë e bashkëpuntorit të prokurorisë SPAK, Nuredin Dumani ose siç thirej në rreth shoqëror me emrin “Luli”.
Bëhet fjalë për kryekomunarin me mbiemrin Juba, person ky që sipas Nuredin Dumanit, garazhin e vilës së tij në Karinë, e kanë përdorur për fshehjen e automjeti të vjedhur tip “Passat”, që u përdor në vrasjen e Emiljano Ramazanit.
Një muaj para arrestimit të Dumanit në Papër të Elbasanit, në muajin shkurt të këtij viti, policia dhe prokuroria e këtij qyteti, ka kryer një kontroll në vilën tre katëshe të Jubës në Karinë.
KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE
Kontrolli është realizuar pas informacioneve të marra, se në këtë banesë qëndronte i fshehur Nuredin Dumani.
Burimet pranë SPAK, thanë se policia ka shkuar për kontroll në muajin shkurt 2022 në banesën e tij dhe vëllait të tij, por nuk ka gjetur asnjë gjurmë të Dumanit.
Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia s’ka mundur të gjejë asnjë send të paligjshëm.
Ndërsa verifikimet për ish-funksionarin publik dhe vëllain e tij, janë shuar nga policia e Elbasanit.
Por nuk ka kaluar një muaj nga kryerja e kontrollit, kur në fund të muajit mars 2022 në qytetin e Fierit është arrestuar Henrik Hoxha dhe Nuredin Dumani.
Ky i fundit ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë, duke treguar një pjesë të krimeve të kryera në Elbasan, Tiranë, Durrës, Kavajë, Lushnjë etj.
Dumani përmendi dhe emrin e Jubës, duke sjellë aktivizimin e verifikimeve për të, ku këtë herë hetimi po ndiqet nga prokuroria e posaçme SPAK.
“…drejtues në mjetin “Passat” ka qënë Eljo Bitri dhe e kemi çuar në fshatin Karinë. Makinën e kemi futur në garazhin e një vilë 3 katëshe, e cila ishte e një shtetasi me mbiemrin Juba, që me sa di ka qënë kryetar Komune. Pas rreth 3 ditësh qëndrim në këtë garazh, më ka telefonuar Eljo Bitri, duke më thënë që të merrja makinën “Passat” dhe të çoja tek magazina e shtetasit Arben Laze në Metalurgjik, Fushë-Mbret…”-mësohet të ketë deklaruar Dumani.
Bashkë me ish-kryetarin e Komunës Karinë, Dumani ka treguar për prokurorët e SPAK, se protagonist ka qënë dhe vëllai i tij, i cili në vrasjen e marsit 2020 të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, ka ndihmuar njërin nga dy autorët, Eljo Bitrin, të largohet pasi ky i fundit braktisi makinën e krimit, në zonën e “Bishti i Zhurit” Rrogozhinë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

