Edvin Prifti kthehet në detyrë, mjeku po hetohet nga SPAK për korrupsion e pastrim parash
Gjykata e posaçme riktheu në detyrë mjekun Edvin Prifti duke shuar masën pezullim nga detyra të vendosur ndaj tij më tepër se një vit me parë.
Trupa gjykuese shqyrtoi kërkesën e avokatëve dhe konstatoi se afati i masës së sigurisë ka rënë duke vendosur shuarjen e saj.
Në këtë mënyrë, hetimi që po zhvillohet ndaj tij, nuk do të pengojë Priftin të kthehet në detyrë.
Ish-shefi i kardiokirurgjisë në QSUT u ndalua të ushtronte profesionin pasi prokuroria kërkoi “pezullim nga detyra” për shkak të hetimeve që po zhvilloheshin ndaj tij për akuzat “korrupsion” dhe “pastrim parash”.
Masa u zgjat në kohë disa herë derisa tashmë kaloi çdo afat ligjor për zbatimin e saj.
Hetimet ndaj Edvin Priftit nisën pas disa përgjimeve të bëra për llogari të dosjes ndaj ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.
Vetë ish kreu I kardiokirurgjisë në QSUT, i ka mohuar akuzat edhe pse SPAK ka deklaruar se Prifti disponon pasuri dhe vlera monetare të pa deklaruara.
