Rama ngre duart: Kam folur me kryeministra të tjerë, bastet online nuk ndalen dot, përfiton krimi
Gjatë takimit për rihapjen e basteve sportive kryeministri Rama u shpreh se policia ka bërë një punë të mirë lidhur me goditjen e fenomeneve kriminale në këtë fushë.
Ai tha se është konsultuar edhe me kryeministra të tjerë që e kanë ndaluar këtë aktivitet dhe sipas tij ka rezultuar se aktiviteti i tyre online është shumë vështirë të ndalet.
Rama: Do t’ia jap fjalën zv. drejtorit të përgjithshëm të policisë, deri pak kohësh drejtor departamentit kundër krimit të organizuar sepse ka qenë një ndër pikat ku kemi diskutuar dhe ku drejtori ka investuar shumë në disa aksione të suksesshme, por e vërteta është se; qysh kur ka nisur ky debat, unë kam parë anën time duke u konsultuar me disa prej kryeministrave apo presidenteve që i kanë ndaluar komplet.
Përgjigja e sinqertë që kam marrë është se online është i pandalur, online në të zezë. Me gjithë diskutimet që kemi bërë me ekspertë digjitalë ka rezultuar se është e pamundur që të bllokohet sistemi. Prandaj jam i hapur ndaj kësaj zgjidhjeje sepse kjo veprimtari nuk mund të bëhet nga njerëz që shkelin ligjin dhe që kanë rezultuar me përfitime të larta elementë me profil të lartë kriminal.

