Grevë në shkallët e bashkisë Kurbin, 70 vjeçari thotë se e ka lënë pa banesë pas tërmetit

Një 70 vjeçar shpalli grevë urie në shkallët e bashkisë së Kurbinit, pasi akuzon institucionin se e ka lënë pa banesë, pas tërmetit të vitit 2019.

Gjin Bushi, thotë se do të vetëflijohet aty në rast se nuk merr zgjidhje.

Gjin Bushi: Më është shembur shtëpia, ma ka shembur tërmeti, nuk më japin pension, nuk më japin asnjë lloj të drejte.

Halli që e zuri në moshë të thyer, e detyroi 70 vjeçarin Gjin Bushi të protestojë në këtë formë para bashkisë së Kurbinit.

Hoqi xhaketën dhe u ul në shkallët e institucionit që thotë se ka braktisur.

Gjin Bushi: Burrë që të më luajë nga këtu nuk ka.

Tregon se në vazhdimësi ka kërkuar strehim, por nuk ka gjetur zgjidhje.

Gjin Bushi: Që në vitin 1987 kam marrë shtëpinë aty kam marrë hyrjen. E shembi tërmeti, më thotë nuk e ke privatizuar. Nuk e kam privatizuar se nuk kam pasur asnjë lloj mundësie, asnjë lloj kushti.

Në këto kushte, thotë se po detyrohet të shkojë drejt akteve ekstreme.

Gjin Bushi: Do marr një shishe benzin, do ulëm këtu, po nuk mora asnnjë zgjidhje ti fus një të djegur dhe të më mbeten kockat këtu.

Kurbini ishte një nga bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Tre vite më pas, shumë familje kanë hyrë në shtëpi të reja, por ende ka të tjera që vazhdojnë të përballen me pasojat.