Prishtina dhe Tirana në protestë, kërkohet ndëshkimi i 5 të rinjve që abuzuan seksualisht me 11-vjeçaren
Shqiptarët do të kërkojnë këtë të mërkurë drejtësi për vajzën 11- vjeçare, për dhunën seksuale të ushtruar ndaj saj nga 5 të rinj. Ndërsa kreu i policisë së Kosovës ka dhënë dorëheqjen për ngjarjen e rëndë të 27 gushtit, në sheshet e Prishtinës dhe Tiranës do të mbahen protesta për mbrojtjen e vajzave dhe grave nga dhuna.
Ekrem Rexhepi, Gent Rexhepi, Xhabir Salihu, Gentrit Jashari dhe Shkëlqim Kameri janë 5 djemtë të cilët akuzohen se kanë abuzuar seksualisht me vajzën 11-vjeçaren në Prishtinë. Ndërsa kanë nisur të publikohen fotot e tyre në rrjetet sociale, të rinjtë cilësohen nga opinioni publik si “monstra”.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, këtë të mërkurë në dy kryeqytetet shqiptare, Prishtinë e Tiranë do të zhvillohen protesta ku do të kërkohet drejtësi në mënyrë që dhunuesit të marrin ndëshkimin e merituar dhe që ngjarje të tilla të parandalohen.
Në Prishtinë protesta do të mbahet në Sheshin “Zahir Pajaziti”, e ndërsa në Tiranë në orën 18.30 në sheshin ‘Nënë Tereza’.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 gusht, ku dhunimi për më shumë se 7 orë i vajzës së mitur, i cili raportohet se ka nisur në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një vend tjetër të panjohur.
Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, Gent Rexhepi, Xhabir Salihu, Gentrit Jashari, abuzuan seksualisht vajzën e mitur, ndërsa më pas ka shkuar edhe 26-vjeçari Ekrem Rexhepi, të cilin e kishte thirrur vëllai i tij Gent Rexhepi.
Aktualisht mësohet se 11 vjeçarja është dërguar në një qendër strehimore, ku po ndiqet nga afër dhe nga stafet mjekësore.
Mësohet se Ekrem Rexhepi ka qenë i akuzuar për vjedhje dhe dhunë në familje.
Pas kësaj ngjarjeje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka dhënë dorëheqjen, teksa vendimi i tij është mirëpritur nga kryeministri Albin Kurti.
