Apeli ndryshon vendimin, liron komisar Rustemin dhe 6 policët e arrestuar për shpërdorim detyre në Shkodër

Gjykata e Apelit Shkodër ka liruar nga masa e “arrestit në shtëpi” kryekomisarin Saimir Rrustemi, i arrestuar bashkë me 12 efektivë dhe funksionarë të policisë së Shkodrës për abuzime me tenderat! Polici, prangosja e të cilit shkaktoi protestë qytetarë do të hetohet i lirë!

Gjykata e Apelit Shkodër shfryn hetimin që vuri në pranga 13 efektivë e punonjës civilë të policisë së Shtetit për abuzime me disa tendera.

Shkalla e dytë e gjyqësorit, ka liruar nga masa e “arrest në shtëpi” 7 të akuzuarit që kishin ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë.

Mes tyre është edhe kryekomisar Saimir Rrustemi, i cili tashmë do të hetohet në gjendje të lirë me masën shtrënguese “detyrim paraqitje”.

5 efektivë policie dhe civili Paulin Prendi, po ashtu do të hetohen të lirë.

Pas operacionit, më datë 24 Korrik, Gjykata e shkallës së parë, nxori nga burgu në arrest shtëpie 10 të arrestuar dhe la në detyrim paraqitje tre të tjerë!

Efektivët e Policisë së Shkodrës dhe punonjësit e administratës civile u arrestuan me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”.

Sipas dosjes së prokurorisë Ata  kanë kryer veprime favorizuese dhe fiktive me qëllim favorizimin e subjekteve të caktuara për përfitimin e tenderave me vlera të vogla që janë zhvilluar nga drejtori e Policisë së Qarkut Shkodër.

Një prej tenderave të dyshuar me abuzime ishte  ai për rikonstruksionin e fasadës së komisariatit të Malësisë së Madhe, rreth 5 vite më parë.

Arrestimi kryekomisar Saimir Rrustemi, u kundërshtua me protestë qytetarë në Shkodër, ditën kur gjykata vendosi në “arrest shtëpie”, masë që këtë të martë ka rënë përfundimisht me vendimin e Gjykatës së Apelit.