Arrestohet në Shqipëri turku Faruk Ozer, bosi i shumëkërkuar i kriptomonedhave

Biznesmeni Faruk Fatih Özer në kërkim ndërkombëtar për mashtrim në miliarda dollarë me kriptomonedha është arrestuar ë kuadër të operacionit "Brain" (Truri) informoi sot, 30 gusht 2022, policia e shtetit.

Ai u arratis nga Turqia duke mashtruar dhjetra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, dhe mendohej se kishte hyrë në vendin tonë një vit e gjysmë më përpara për ti shpëtuar drejtësisë.

10 dite nen pergjim

Arrestimi i tij u krye në zonën e Himarës ndërsa policia kishte rënë në gjurmët e tij 10 ditë më parë përmes përgjimeve.

Policia publikoi videon ku duket momenti kur ndërhyn dhe i vë prangat ndërsa ai është me pantallona të shkurtra dhe i ulur në divan. Turku së fundi ishte lokalizuar edhe në Elbasan ku kishte marrë një banesë me qira. 

“Ky shtetas u kap në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara.  Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda” informoi policia.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Dy shoqëruesit 

Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, Briken Shkembi, 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe Elvaldo Haxhiu, 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Mediat turke shkruajtën sot se autoritetet shqiptare i kishin dorëzuar autoriteteve turke foton e 28 vjeçarit dhe kishin kërkuar konfirmimin e identitetit të tij

Ne kerkim prej prillit 2021

Ozer i ishte shpallur në kërkim nga autoritetet turke në prill 2021 për mashtrim me pasoja të rënda përmes skemës së kriptomonedhave. Kompania përmes të cilës vepronte Faruk Fatih Özer shpalli falimentin, ndërsa ai u shpall në kërkim ndërkombëtar. Atëherë u deklarua se “vlera e mashtrimit që shtetasi turk Faruk Fatih Özer ka kryer është rreth 2 miliard dollarë"

 

Në shtator 2021 u mësua se Faruk Fatih Özer ishte strehuar në Shqipëri dhe për këtë u arrestua 36 vjeçari Edevaldo Haxhiu i cili sipas mediave turke kishte pritur në aeroport turkun e shumëkërkuar dhe e kishte strehuar duke e shpëtuar nga arrestimi prej policisë. Më pas Haxhiu u vendos të hetohet në liri. 

Mediat turke publikuan edhe pamjet e hotelit ku ai ishte strehuar në Shqipëri.

Për këtë çështje në Turqi u arrestuan 81 persona.