Makina ku udhëtonte familja del nga rruga e përplaset me barrierën në Vlorë, vdes djali 6 vjeç, babai nëna dhe fëmija 3 vjeç në spital (VIDEO)
Pjesë e një makine tip Benz të shpërdara në rrugë, janë dëshmi e aksidenti tragjik të ndodhur orët e para të mëngjesit të së martës, 30 gusht 2022 në Aksin Fier-Vlorë, në afërsi të fshatit Panaja.
Ngjarja u shënua në orën 4:45 minuta në afërsi të fshatit Panaja, ndërsa një 6 vjeçar humbi jetën.
Në makinë po udhëtonin 33-vjeçari Andi Mithi, bashkëshortja e tij Albana Mithi – Kurti, si dhe dy fëmijët e tyre 3 dhe 6 vjeç, që ishin të ulur në sedilet e pasme të mjetit.
Dyshohet se për shkak të përgjumjes së drejtuesit të mjetit, makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një tabelë në rrugë, e më pas është përplasur me barrierat disa metra më larg.
Nga përplasja e fortë, fëmija 6 vjeçar humbi jetën, ndërsa u plagosën 3 anëtarët e tjerë të familjes të cilët ndodhen në Spitalin e Vlorës.
Përplasja mendohet të ketë qenë e fortë, pasi shumë pjesë të makinës kanë mbetur në vendin e aksidetit.
Familja Mithi po kthehej nga Turqia, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit tragjik.
95 persona kanë humbur jetën në 686 aksidente rrugore nga janari deri në fund të korrikut të këtij viti.







