Arrestohet biznesmeni shqiptar që ndihmoi të arratisej bosin turk të kriptomonedhave, dalin fotot nga hoteli

Katër muaj pas strehimit në Shqipëri të bosit turk të kriptovalutave Faruk Fatih Ozer policia shqiptare ka ndaluar biznesmenin nga Durrësi Edevaldo Haxhiu. 36-vjeçari që rezulton pronar i një policie private, sipas mediave turke ka pritur në aeroport turkun e shumëkërkuar dhe e ka strehuar duke e shpëtuar nga arrestimi prej policisë. Për këtë çështje në Turqi janë arrestuar 81 persona, ndërkohë që i ndaluari në Shqipëri ka hedhur poshtë akuzat.

Biznesmeni shqiptar Edevaldo Haxhiu është ndaluar nga policia shqiptare pas hetimeve që treguan se ai ka ndihmuar dhe fshehur shtetasin turk Faruk Fatih Ozer, i konsideruar si bosi i kriptomonedhave.

Prokuroria e Tiranës mësohet se ka firmosur urdhër ndalimi për 36-vjeçarin Haxhiu nga Durrësi, i cili rezulton pronar i një kompanie të policisë private.

Gazeta turke "Sabah" ka njoftuar ndërkohë se ky është një zhvillim i rëndësishëm në lidhje me hetimin e dosjes së koduar me emrin "Thodex", të nisur nga autoritetet turke për bosin e kriptomonedhave Faruk Fatih Özer.

Arrestohet biznesmeni shqiptar që ndihmoi të arratisej bosin turk
Edevaldo Haxhiu duke hyrë në hotel

Sipas gazetës turke Edevaldo Haxhiu, është nipi i një zyrtari të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit.

36-vjeçari përmendet nga media turke si njeriu që priti në aeroport të shumëkërkuarin Faruk Fatih Özer dhe më pas e transportoi atë në hotelin ku u strehua në Shqipëri pas shpalljes në kërkim nga autoritetet turke.

Autoritetet turke evidentojnë faktin se policia shqiptare e kishte gjurmuar bosin e kriptomonedhave dhe ishte nisur për ta arrestuar tek hoteli ku po qëndronte, por ka qenë pikërisht Edevaldo Haxhiu që ka mbërritur aty më herët duke e dërguar në një tjetër vendqëndrim për ta shpëtuar kështu nga arrestimi.

Gazeta evidenton edhe faktin se para se Faruk Fatih Özer të strehohej në Shqipëri si person i shumëkërkuar, Edavaldo Haxhiu kishte kryer disa udhëtime në Turqi ku besohet se ka pasur kontakte me bosin e kriptomonedhave.

Pas ndalimit nga policia shqiptare, biznesmeni 36-vjeçar nga Durrësi mësohet se nuk i ka pranuar akuzat duke thënë se nuk e njihte Fatih Ozerin.

Megjithatë gazeta turke duke iu referuar policisë publikoi foto ku tregon se Edevaldo Haxhiu dhe bashkëpunëtori i tij Altjan Canaj morën të kërkuarin nga hoteli për ta shpëtuar prej policisë.

Zyra e Kryeprokurorit të Anadollit filloi hetimet për këtë rast në 22 prill, pas një raporti për vjedhje të mëdha në platformën e kriptomonedhave.

I dyshuari kryesor Faruk Fatih Özer, ishte larguar nga Turqia më 20 prill për tu strehuar në Shqipëri.

Ndërkohë qe bosi i kriptomonedhave është ende në kërkim autoritetet turke lëshuan 82 urdhëra arresti duke arrestuar 81 persona në 8 provinca me bazë në Stamboll.

Mes të arrestuarve ishte edhe vëllai i Faruk Fatih Özer, Güven Özer ndërkohë që i kërkuari kryesor i ka shpëtuar prangave.

Arrestohet biznesmeni shqiptar që ndihmoi të arratisej bosin turk
Edevaldo Haxhiu duke marrë Fatih Özer nga hoteli
Arrestohet biznesmeni shqiptar që ndihmoi të arratisej bosin turk
Altjan Canaj, bashkëpunëtori që ndihmoi të arratisej bosin e kriptomonedhave
Arrestohet biznesmeni shqiptar që ndihmoi të arratisej bosin turk
Edevaldo Haxhiu
Arrestohet biznesmeni shqiptar që ndihmoi të arratisej bosin turk
Altjan Canaj që solli Fatih Özer nga aeroporti në hotel