Sanksionet ndaj Rusisë, Rama: Ne mund të reagojmë pasi nuk kemi nevojë për gazin rus

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është harmonizuar që prej ditës së parë me politikën e jashtme të BE-së dhe do të vazhdojë të harmonizohet sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë.

Rama: Ne jemi harmonizuar që prej ditës së parë me politikën e jashtme të BE-së dhe do të vazhdojmë të harmonizohemi. Ne jemi shumë besnik ndaj perandorive përgjithësisht. Ishim të fundit që u larguam nga Perandoria Osmane edhe kur osmanët vetë u larguan. Ishim të fundit që u larguam nga perandoria e Stalinit, pasi sovjetët e kishin lënë para 30 vitesh. Do të jemi të fundit që do të largohemi nga perandoria Perëndimore pa dyshim.

I pyetur se si e shpjegon këtë besnikëri Rama u shpreh se jemi njerëz të mirë dhe sepse në kodin tonë, në Kushtetutën e parë të shqiptarëve fjala e dhënë është e barazvlefshme me nderin.

Rama: Nëse nuk mban fjalën nuk ke më nder, kështu që ne ia dhamë këtë fjalë BE-së dhe SHBA-së. Ata na kanë dhënë shumë fjalë dhe ndonjëherë i mbajnë, ndonjëherë nuk i mbajnë. Por kanë një ndjesi tjetër të nderit krahasuar me ne. Ne jemi shumë primitivë në këtë.

Nga forumi strategjik i Bledit, në Slloveni kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria reagon ashpër ndaj Moskës sepse nuk ka nevojë për gazin rus.

Rama: Shqipëria është shumë unike edhe këtu. Ne nuk kemi gaz, nuk kemi nevojë për gazin rus. Kjo është arsyeja pse mund të reagojmë shumë fort ndaj Rusisë sepse nuk kemi nevojë për gazin. Historia jonë ka qenë e tillë që ne nuk kemi asnjë lloj ndjesie kundrejt Rusisë më, sepse në perandorinë sovjetike monumenti i Stalinit u rrëzua apo le të themi u hoq me hijeshi në vitet ’60. ndërkohë që ne e mbajtëm Stalinin edhe deri pas rënies së murit të Berlinit. Ne jemi 100% me energji të ripërtëritshme meqë ra fjala.

Prodhimi ynë i energjisë është 100% mbi bazë ujore. Dhe është shumë mirë kur Zoti është në humor të keq dhe qan dhe është e tmerrshme kur Zoti qesh tërë kohës dhe nuk ka lot. Sepse stinët e thata nënkuptojnë import dhe importi nënkupton që ne ndikohemi nga çmimet. Por kemi marrë një vendim kurajoz, mendoj, koha do ta tregojë nëse është kurajoz apo jo i mençur, për të mos prekur çmimet e energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla.

Ne po e mbulojmë plotësisht këtë diferencë që është mjaft e dhimbshme për buxhetin shqiptar, i cili është më pak se buxheti i Cristiano Ronaldos, por sërish ne ia kemi dalë të vazhdojmë kështu. Nga ana tjetër duke mos e rritur çmimin e energjisë, as edhe një cent, kemi inflacionin më të ulët deri më tani në rajon.