Karabina: Në Elbasan po bëhet shkolla e bashkuar, rënie drastike të nxënësve, shkak emigrimi
Ish-ministrja e arsimit Mirela Karabina, teksa ka komentuar nisjen e vitit të ri shkollor është shprehur se kemi një numër të kufizuar nxënësish, për shkak të emigrimit.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Sebastian Zonja, Karabina tha se po flitet për shkolla të bashkuara pasi numri i nxënësve është shumë i ulët.
Mirela Karabina: Gjatë këtyre viteve ne kemi një lëvizje të pakontrolluar të popullsisë dhe kjo ka sjellë që në zona të ndryshme rurale të kemi një numër të kufizuar nxënësish. Tani emigrimi ka sjellë që ata të largohen nga vendi, por kemi dhe fenomenin tjetër që për arsye se nuk ofrojnë një shërbim cilësor në këto zona prindërit janë detyruar të afrohen afër qendrave për t’u sjellë fëmijëve një arsim më të mirë.
Gjatë kësaj kohe është artikuluar për shkolla të bashkuara, pra të bashkohet nxënësit para universitar me atë të mesëm e të lartë. Ka një rënie të numrit të nxënësve. Në fshatra ka një rënie drastike për arsye të largimit.
Ajo tha se kemi një dyndje të nxënësve në Tiranë dhe kjo bëhet jo vetëm për shkak të largimit por edhe për shkak të mos-menaxhimit dhe administrimit të shkollave nëpër fshatra.
Mirela Karabina: Kemi një lëvizje të pakontrolluar dhe kemi një dyndje të rretheve në Tiranë. Jo vetëm kaq, edhe brenda Tiranës nuk është menaxhuar siç duhet. Ka pasur mungesë të administrimit, të menaxhimit të gjithë kësaj dhe jo vetëm rënie të saj.
Ajo tha se në Elbasan po bëhet shkollë e bashkuar, ndërsa shton se emigracioni është faktori kryesor që ka ndikuar në rënien e numrit të nxënësve.
Mirela Karabina: Shkolla e bashkuar po bëhej dhe në Elbasan. Kjo gjë nuk mund të bëhet në qytet. Fakti që ti ke një largim dhe një rënie të numrit të nxënësve dhe studentëve çdo vit, tregon që emigracioni vazhdon dhe plaga po thellohet.
