Me pantallona të shkurtra, momenti kur turku Ozer u arrestua në Himarë, shoqërohej dhe nga dy të tjerë
Faruk Fatih Özer, shtetasit të shumëkërkuar turk që akuzohet për mashtrim i janë vënë prangat në një banesë në Himarë. Policia ka publikuar videon ku duket moment kur policia ndërhyn në banesë dhe I vënë prangat ndërsa ai është me pantallona të shkurtra dhe i ulur në divan.
28 vjeçari ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Policia kishte marrë informacione në rrugë operative për vendndodhjen e tij.
“Ky shtetas u kap në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara. Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda” informoi policia.
Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, Briken Shkembi, 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe Elvaldo Haxhiu, 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj.
Më 20 prill 2021 Ozer u arratis nga Turqia ku akuzohet se kishte mashtruar mijëra qytetarë, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, një sipërmarrje e dyshuar si mashtruese që drejtohej nga Ozer.
Kompania përmes të cilës vepronte i dyshuari shpalli falimentin, ndërsa policia turke e shpalli në kërkim ndërkombëtar duke e akuzuar se kishte përfituar rreth 2 miliardë dollarë. Policia ra në gjurmët e turkut të shumëkërkuar pasi autoritetet turke dërguan njerëz për ta ndjekur në pesë shtete të Ballkanit.

Operacioni u kodua “Brain” dhe u organizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania dhe DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

