"Gjurma" që ndaloi në Tiranë ndihmësin e bosit turk, autor i vjedhjes së 2 miliard dollarëve

Policia e shtetit jep informacion zyrtar në lidhje me ndalimin e Edevaldo Haxhiu, 36 vjeçarin me banim në Tiranë, i cili akuzohet se ndihmoi bosin turk të kriptomonedhave Faruk Fatih Özer të fshihej në Tiranë.

Operacioni është koduar “Gjurma”.

“Nga informacionet e marra, vlera e mashtrimit që shtetasi turk Faruk Ozer ka kryer si autori kryesor i kësaj vepre është rreth 2 miliard dollarë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ka dyshime të forta dhe të arsyeshme se shtetasi E. H. ka kryer veprime aktive, me qëllim që të ndihmonte shtetasin turk F. O., për t’iu shmangur organeve ligjzbatuese, duke e transportuar dhe e fshehur atë.”  Informon policia.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë skemë kriminale dhe vendosjen e tyre përpara drejtësisë.

Hetimi

Procedimi penal u regjistrua në vitin 2021 ka kryer veprime të vazhdueshme dhe të thella në lidhje me verifikimin dhe ndjekjen penale të disa shtetasve, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”.

“Situata kriminale e ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale nëpërmjet platformave të krijuara për këtë qëllim, duke rezultuar në mashtrimin e një numri të madh shtetasish të huaj (deri më tani)” thuhet në njoftimin për median.

U kryen veprimet procedurale përkatëse dhe materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”.