Flamuri me yll, Karabina: E paprecedentë vendosja e simboleve komuniste, përgjegjësi të mbajnë organizuesit e eventit
Ish-ministrja Mirela Karabina, ka reaguar në lidhje me shfaqjen e flamurit shqiptar me yll sipër në festivalin Sunny Hill.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Sebastian Zonja, Karabina tha vendosja e simboleve komuniste është e paprecedentë, ndërsa shtoi se për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi organizuesit e eventit.
Mirela Karabina: Vendosja e simboleve të komunizmit është e paprecedentë dhe këtu mbajnë përgjegjësi ata që e organizuan këtë event, mban përgjegjësi bashkia Tiranë, por kjo tregon dhe një problem madhor që ne tashmë kemi filluar ta artikulojmë që ne nuk jemi ndarë nga e kaluara dhe nuk kemi dënuar krimet e komunizmit.
Karabina tha se pasojat e sistemit komunist vazhdojmë t’i kemi dhe sot ndërsa tha se në korrikulat shkollore duhet që të futet sistemi që nxënësit të dinë për komunizmin.
Mirela Karabina: Pasojat e atij sistemi ne vazhdojmë t’i kemi dhe sot. Absolutisht që ka probleme dhe edukimi. Kjo gjendje që ne jemi sot është pasojë e një qeverisje 46 vjeçare që mbylli, shkatërroi individin, nuk lejoi fjalën e lirë dhe pronën.
Pse nuk futet në korrikulën shkollore pikërisht sistemi që nxënësit të dinë për një sistem që na ka lënë pasoja fatale.
Flamuri me yll që simbolizon komunizmin, u shfaq papritur në monitor të madh, përpara qindra pjesëmarrësve në natën e tretë të Festivalit Sunny Hill, në Tiranë. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjete sociale, ndërsa qytetarët u shprehën përgjithësit të revoltuar.
Ata thanë se flamuri me yll, është fyerje për mijëra viktimat e komunizmit në vendin tonë.
Flamuri komunist gjatë festivalit “Sunny Hill” është si një formë satirike e grupit "Asgjë sikur Dielli" e realizuar 8 vite më parë nga Alban Nimani.
