Ndryshimet në qeveri, Çipa: Shkarkimi i Ahmetajt vjen në një kohë kur opozita hedh akuza për incineratorët

Një ditë pas largimit të Ilir Metës, kryeministri Edi Rama i ka çuar në tryezën e punës së Presidentit të ri ndryshimet në qeveri për t’i dekretuar. Arben Ahmetaj nuk do të jetë më pjesë e kabinetit, pasi shefi i ekzekutivit e ka zëvendësuar me Belinda Ballukun. Ndërsa për integrimin, Edi Rama ka zëvendësuar Zef Mazin me të besuarën e tij Majlinda Dhuka. 

Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, ai tha se pas shumë kohësh rikthehet për herë të parë përdorimi i termit të shkarkimit në aulat e procedimit të administratës së lartë publike.

Aleksandër Çipa: Më bën përshtypje një detaj që është komentuar shumë pak gjatë ditës së sotme. Në propozimin e kryeministrit për të sjellë presidentin e ri Begajn, cilësohet shkarkimi i Zotit Ahmetaj dhe shkarkimi i përfaqësuesit të Shqipërisë si kryenegocatior i procesit të Integrimit. Për herë të parë pas disa kohësh rikthehet  përdorimi i termit shkarkim në aulat e procedimit të administratës së lartë publike dhe të nivelit më sipëror të ekzekutimit të vendit.


Ai tha se shkarkimi i Ahmetajt vjen në një kohë kur opozita vazhdon të hedhë akuza ndaj këtij të fundit për aferën e incineratorëve.

Aleksandër Çipa: Shkarkimi i Ahmetajt vjen në një kontekst ku shumica  e spektit opozitar vazhdon ta mbajë në axhendë akuzën për aferën e incineratorëve dhe përditshmërisht, segmentet e opozitës zyrtare hedhin detaje që lidhen me dimensionin financiar që  ka kjo aferë në jetën publike dhe në mënyrë të veçantë dhe në financat e vendit.

Çipa tha se shkarkimi i Mazit është pritur me befasi nga opinioni publik pasi sipas tij ai ishte një model i suksesshëm përfaqësimi.

Aleksandër Çipa: Shkarkimi i Mazit u prit me një befasi nga opinion publik i vendit. Edhe pse në një kohë shumë të shkurtër ai e kryesoi përfaqësimin zyrtar të Shqipërisë për procesin e statusin e vendit kandidat për BE, ai vjen me një profil  ekstra politik, vjen si një model i suksesshëm përfaqësimi. Në tekstin e shkarkimit mungon një motivacion, ndonëse në Twitter e Kryeministrit ka një përcaktim shumë pozitivisht mirënjohës për kontributin e Ahmetaj dhe Mazit.