Rama ndryshime në qeveri: Shkarkon Arben Ahmetajn, bën Belinda Ballukun Zv/kryeministre. Majlinda Dhuka kryenegociatore e ministre Shteti

Një ditë pas largimit të Ilir Metës, kryeministri Edi Rama i ka çuar në tryezën e punës së Presidentit të ri ndryshimet në qeveri për t’i dekretuar. Arben Ahmetaj nuk do të jetë më pjesë e kabinetit, pasi shefi i ekzekutivit e ka zëvendësuar me Belinda Ballukun. Ndërsa për integrimin, Edi Rama ka zëvendësuar Zef Mazin me të besuarën e tij Majlinda Dhuka. 

Tirane - Me largimin e Ilir Metës, kryeministri ka nxituar për të bërë ndryshime në kabinetin e tij pak ditë para se qeveria e Ramës të merrte pushimet e verës.

Shefi i ekzekutivit largoi Arben Ahmetaj nga detyra e zëvendëskryeministrit duke e zëvendësuar me Belinda Ballukun e cila njëkohësisht do të drejtojë edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

"Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre" shkruan Rama sot (25 korrik 2022) në një postim në twitter.  

Arben Ahmetaj është akuzuar nga opozita për përfshirjen e tij në çështjen e incineratorëve, madje për të ka edhe një denoncim në SPAK.

E besuara e Ramës në krye të integrimit

Integrimi do të jetë fokusi i ri i qeverisë së majtë, pasi vetëm pak ditë më parë Shqipëria ka hyrë në fazën e negociatave me Bashkimin Europian. Në momentin që Zef Mazi do të niste përformancën e tij, Edi Rama e shkarkoi nga detyra e kryenegociatorit pasi ai mendon se një teknik do ta bëjë punën më mirë se sa një diplomat. Në vendin e tij do të jetë e besuar e Kryeministrit, Majlinda Dhuka, e cila ka punuar në kabinetin qeveritar në departamentin për Zhvillim dhe Qeverisje të Mirë. Por Dhuka përveçse do të drejtojë grupin e punës së Shqipërisë do të jetë edhe Ministre Shteti.

"Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit"

Në ditën e parë të punës si President i Republikës, Bajram Begaj firmën e tij të parë do të hedhë në dekretët për emërimet e reja të kërkuara nga kryeministri Edi Rama.

Rama ndryshime në qeveri: Shkarkon Arben Ahmetajn, bën Belinda

Rama e mbyll postimin duke falenderuar Ahmetaj dhe Zef Mazin për punën e tyre.

"Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon" shkruan Rama.

 

Rama ndryshime në qeveri: Shkarkon Arben Ahmetajn, bën BelindaRama ndryshime në qeveri: Shkarkon Arben Ahmetajn, bën Belinda