“Bullgaria do ta ndihmojë Shqipërinë”, ambasadori Raytchevski: Rruga drejt BE-së, e vështirë!
Rruga drejt Bashkimit Evropian është e vështirë, por Bullgaria do ta ndihmojë Shqipërinë me të gjitha format. Nga Kukësi ambasadori bullgar tha se qeveria duhet të punojë sa më shumë për të arritur qëllimet e anëtarësimit.
Deri para pak ditësh Bullgaria ishte pengesa e vetme në rrugën e Shqipërisë për çeljen e negociatave për shkak të vetos së saj ndaj Maqedonisë së Veriut.
Por, Bullgaria tanimë thotë se do të bëjë çdo gjë që është e mundur që Shqipëria të aderojë në mënyrë sa më të lehtë në Union.
Nga Kukësi, ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momchil Raytchevski, tha se qeveria tanimë i di përgjegjësitë e saj dhe duhet t’i përvishet punës.
Raytchevski: Unë mendoj se Qeveria e di përgjegjësinë e vetë dhe do të eci përpara. Gjithashtu me ndihmën e miqve tanë në BE do të bëjmë çdo gjë të mundur që Shqipëria të aderojë në mënyrë sa më të lehtë e sa më efektive. Me rëndësi janë rezultatet.
Hapja një e nga një e 33 kapitujve pas hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare, do të jetë një sfidë e madhe, ndaj ambasadori i Bullgarisë thotë se rruga nuk do jetë e lehtë.
Raytchevski: Sa i përket sfidave, gjithë procesi i negociatave është një punë e madhe. Ju jeni te njohur me metodologjinë dhe mënyrën e re të negociatave. Kështu që nevojitet punë dhe vetëm punë.
Ambasadori bullgar, Momchil Raytchevski, ishte në Kukës për nisjen e një investimi për rikonstruksionin e plotë të kopshtit numër 2 të qytetit, bashkëfinancim i Qeverisë bullgare nga projekti “Ndihma Bullgare për Zhvillim” dhe Bashkisë Kukës në vlerë 7.2 milonë lekë.
