Gjykim të shkurtuar për anëtaren e KPK-së Etleda Çiftja
Anëtarja e KPK Etleda Çiftja do të gjykohet me procedurë të përshpejtuar për akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe mosdeklarimit të pasurisë. GJKKO vendosi të kalojë në shqyrtim dosjen e hetuar nga SPAK ndërkohë që zyrtarja e lartë e vetingut tha se duhet pritur vendimi përfundimtar i drejtësisë. Gjyqi i shkurtuar i mundëson asaj uljen e një të tretës së dënimit nëse shpallet fajtore.
Anëtarja e KPK Etleda Çiftja është zyrtarja e radhës që do të përballet me Gjykatën e Posaçme për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Në seancën paraprake për dosjen penale ndaj saj përfaqësuesja e vettingut ka kërkuar gjykim të shkurtuar ndërsa gjyqtari vendosi ta kalojë çështjen në gjykim.
Ajo tha se çështja është në proces dhe se duhet pritur vendimi i gjykatës.
Nga ana tjetër avokati u shpreh se seanca e radhës do të mbahet në 29 korrik
Më 30 qershor 2022 SPAK dorëzoi dosjen në Gjykatë duke e akuzuar për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Prokuroria e Posaçme thotë se zyrtarja e lartë e vetingut në vitin 2017 ka kryer deklarim të rremë të pasurisë, në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë së dy pasurive të fundit, si dhe qëllimin e marrjes së një kredie.
Etleda Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe përgjatë 5 viteve ka marrë pjesë në vendimet e shkarkimit të qindra prokurorëve e gjyqtarëve për çështje të fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Denoncimi ndaj zyrtares së lartë të vettingut u bë pikërisht nga avokatët që përfaqësojnë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu.
Më herët me drejtësinë janë përballur edhe anëtarët e KPA Ardian Hajdari dhe Luan Daci.

